
Ky është një postim pak më i gjatë se të tjerët që gjeni në blog, kjo sepse tema është shumë e dashur për mua dhe përveç recetave doja të ndaja me ju historinë pas saj.
Unë i dua mediat sociale, pasi më kanë lidhur me shumë persona me të cilët ndajmë të njëjtat pasione dhe dëshira, një nga këta është Ina, vajza e cila qëndron pas profilit me fotografi “Ina Cenko” që mund ta gjeni në Instagram.
Inën e kam takuar personalisht më herët, përmes miqve të përbashkët, por pasi filluan të ndiqnim njëra-tjetrën në mediat sociale dhe të zbulonim që ndanim të njëjtën dashuri për të bukurën, ushqimin e mirë, dhe fotografinë u afruam më tepër.
Pas shumë shkëmbime mendimesh në rrjetet sociale, vendosëm të bënim një bashkëpunim, unë do të gatuaja diçka dhe Ina do ta fotografonte, e mes bisedave se çfarë do gatuanim e fotografonim, Ina pati një ide fantastike, të organizonim një piknik.
U entuziasmova menjëherë shume, pasi çdo herë që kam bërë piknik jam kënaqur pamasë. Gjëja e parë që duhet zgjedhur me kujdes kur bëjmë një piknik është vendi, i cili duhet të jetë rehatshëm e me ndonje hije peme tek tuk, që ta shfrytëzojmë për të ruajtur pak më të freskëta ushqimet e për të pushuar në orët kur dielli bëhet më i fortë.
Pastaj nuk duhet të harrojmë cfarë duhet të marrim me vete. Një batanije e hollë, apo një mbulesë pikniku do ishin ideale. Mos harroni gjithashtu një thikë të mprehtë, disa peceta, letra të lagura, lugë dhe pirun, nëse do merrni me vete diçka tjetër përveç ushqimeve që nuk kanë nevojë për lugë dhe pirun për tu konsumuar., dhe sigurisht dhe një qese të madhe për të mbledhur mbeturinat në fund.
Element të tjerë shumë të nevojshëm janë kremi në rast se na pickojnë insektet, kremi i diellit, pasi çdo herë kur ekspozohemi gjatë në diell duhet të mbrohemi me krem, syzet e diellit dhe kapele gjithashtu. Letrat, raketat e tenisit, apo thjesht një top janë të domosdoshme për ata që duan të luajne, kurse për ata që preferojnë një piknik të qetë, një libër i mirë është një zgjedhje shumë e mire. Nëse ju pëlqen të dëgjoni diçka tjetër veç muzikës së natyrës merrni me vete një radio apo ipod të vogël.
Tani le të flasim për ushqimin, pjesa ime e preferuar. Duhet të merrni patjetër me vete fruta dhe fruta të thata, të cilat janë shumë të shijshme, paketohen lehtë dhe janë njëkohësisht edhe shumë të shëndetshme.
Në piknik duhet të merrni patjetër edhe shumë lëngje. Uji, birra, vera apo pije të tjera që ju pëlqejnë do të ishin një zgjidhje shumë e mirë. Për këtë piknik unë përgatita ujë të aromatizuar me feta limoni, mjedra e borzilok për pak më shumë vitamin dhe shije, por edhe thjesht ujë është një zgjidhje e shpejtë dhe e mirë. Për ti mbajtur pijet të freskëta mbajini në termus, dhe mos harroni që termusi të jetë gjithë kohës në hije.
Unë preferoj që gjithmonë të kem ushqime të thjeshta dhe të ndara në porcione që në shtëpi, në mënyrë që të bëhet sa më pak rrëmujë gjatë piknikut. Mini-kekët dhe paninet apo pitet e mbushura janë një zgjidhje shumë e mirë në këtë rast. Për këtë piknik unë përgatita mini-kekë me mollë dhe tërshërë si dhe pite të mbushura me humus dhe perime, recetat e të cilave i gjeni më poshtë.
Të gjithë u kënaqëm shumë gjatë piknikut. Ina fotografoi çdo detaj. Unë e falenderoj pa masë dhe mezi pres të bashkepunoj sërish me të. Për më shumë nga krijimet e Inës ndiqeni në Instagram.
Mini-kekë me mollë , tërshërë dhe rrush të thatë
Prep
Cook
Total
Yield 12 mini-keke
Ingredients
- 1 kupë tërshërë petë
- ½ kupë miell për cdo përdorim
- ½ kupë miell integral
- 2 lugë caji fryrës për ëmbëlsira
- ½ lugë caji kripë
- 1 lugë caji kanellë
- ¼ lugë caji arrë moskati e grirë
- 100 g gjalp
- 2 vezë mesatare
- ¾ kupë qumësht
- ¾ kupë sheqer kaf
- 2 mollë mesatare
Instructions
- Parangrohni furrën në temperaturën 180 gradë Celsius.
- Bëni gati një tepsi për muffins duke shtruar letra për muffins
- Në një enë të madhe rrihni së bashku vezët dhe sheqerin.
- Shtoni gjalpin e shkrirë dhe qumështin dhe trazojeni mirë.
- Në një enë tjetër bashkoni miellin, tërshërën, kanellën, kripën, arrën e moskatit dhe fryrësin e ëmbëlsirave.
- Bashkoni përbërësitë e thatë me ata të lëngshëm dhe trazojini deri sa masa të bëhet homogjene.
- Qëroni mollët dhe pritini në kubikë të vegjël dhe shtojani brumit të kekut.
- Ndajeni brumin në tepsinë e mini-kekëve dhe vendoseni të piqet në furrën e parangrohur për rreth 22-25 minuta.
- Lëreni të ftohen plotësisht para se ti paketoni për ti marrë me vete në piknik.
Pite të mbushura me perime
Prep
Cook
Total
Yield 6 pite
Ingredients
- 6 pitë mesatare
- 1 kupë humus
- 2 kunguj mesatar
- 1 patëllxhane
- 3 speca mesatar
- 10-12 domate të vogla, të thara
- Pak vaj ulliri për të kavërdisur perimet
- Kripë
- Piper
- 1 kupë djathë kaçkavall i grirë
Instructions
- Filloni duke gatuar perimet
- Pasi ti keni pastruar dhe prerë hollë gatuajini me pak vaj ulliri në temperaturë mesatare.
- Lërini perimet mënjanë të ftohen pak dhe filloni me përgatitjen e piteve.
- Lyeni me humus secilën pite.
- Shtroni perimet sipër dhe mbi to djathin e grirë.
- Rrotullojini e mbyllini me kujdes.
- Pas kësaj vendosni një tigan të madh në zjarr mesatar dhe shtoni pak vaj ulliri. Gatuajini pitet e mbushura rreth 30 sec nga secila anë.
- Lërini të ftohen plotësisht përpara se ti paketoni.


Lini një Përgjigje