Receta bazike për të përgatitur humus

Share

Humus është një pure apo krem qiqrash me tahini, vaj ulliri, lëng limoni, kripë, piper dhe kumin. Origjina e humusit është nga lindja e mesme, por fama e tij tashmë i ka kaluar kontinentet.

Humusi ka shije fantastike dhe vlera shumë të mira ushqyese, dhe është shumë i thjeshtë për tu përgatitur. Shpesh bëj shaka duke thënë se humus, është dëshmi që gjërat më të thjeshta në jetë, janë më të mirat,

Një nga gjërat më të mira të humusit është fakti që është një bazë shumë e mirë për të eksperimentuar me shijet.

Mund të shtoni erëza nga më të ndryshmet si :

  • koriander
  • spec të kuq të ëmbël
  • kanellë
  • spec djegës të copëzuar.

Mund të eksperimentoni duke shtuar :

  • spec të kuq të copëzuar
  • ullinj
  • domate të thara
  • qepë të karamelizuara
  • lëkure limoni
  • fara të ndryshme.

Shumë interesante është edhe të shtoni pak panxhar të gatuar ose një dorë spinaq. Kështu do të merrni humus me ngjyrë fantastike rozë në të kuqe dhe të gjelbër, dhe me vlera shtesë ushqyese nga spinaqi ose panxhari.

Receta që po ndaj me ju është receta bazike e humusit, një bazë fantastike që ju lë të eksperimentoni me shije nga më të ndryshmet.

Humusi shërbehet mbi pite apo kulaç, për të shoqëruar perimet, apo për të shoqëruar mishin e pulës, peshkut, apo biftekun e lulelakrës.

Përbërësit

  • 1 kupë qiqra të pagatuara
  • 1/2 – 1 lugë gjelle (tbs) tahini (në varësi të sa ju pëlqen tahini)
  • 2 lugë gjelle (tbs) vaj ulliri
  • 1 lugë gjelle (tbs) lëng limoni i freskët
  • 1 lugë çaji (tsp) kumin pluhur (opsional)
  • Kripë
  • Piper
  • 1 lugë çaji (tsp) sodë
  • Ujë për të lënë qiqrat të zbuten si dhe ujë për ti zier.

Shënim : 1 kupë – 1 filxhan/gotë me volum 240 ml

Humusin mund ta përgatisni edhe me qiqra të konservuara. Sasia e qiqrave që ju duhet në këtë rast është 2 kupa qiqra pasi i keni kulluar lëngun.

Përgatitja

  1. Vendosini qiqrat në një enë të madhe dhe mbulojini me ujë. Në to hidhni edhe pak sodë, që ndihmon që qiqrat të ziejnë më shpejt. Lërini qiqrat në ujë për gjatë gjithë natës, ose të paktën për 5-6 orë.
  2. Ditën tjetër derdhni ujin në të cilin i keni lënë qiqrat dhe vendosini në një tenxhere të madhe.
  3. Shtoni ujë dhe vendosini të ziejnë deri sa qiqrat të jene zier. Për ta provuar nëse jane gati merrni një kokërr qiqër dhe shtypeni me gishta. Nëse shtypet lehtësisht janë gati. Mua mu desh rreth 30 minuta, që qiqrat të zienin.
  4. Derdhni ujin në të cilin u zien qiqrat, duke ruajtur pak mënjanë sepse mund të na duhet kur ti proçesojmë në proçesorin ushqimor.
  5. Lërini të ftohen për pak minuta.
  6. Nëse keni kohë, mund të hiqni cipën e qiqrave. Proçesi është i thjeshtë, por të merr pak kohë. Nëse keni pak kohë në dispozicion mundet thjesht ti lini qiqrat me gjithë cipë. Shija e humusit nuk ndryshon, por tekstura është pak më kremoze nëse përdorni qiqra pa lëkurë.
  7. Në një blender ose proçesor ushqimor vendosni qiqrat, tahinin, lëngun e limonit, vajin e ullirit dhe kumin dhe bluajini mirë. Nëse e pëlqeni humusin super kremoz shtoni 3-4 lugë gjelle ujë nga uji në të cilin janë zier qiqrat.
  8. Në fund shtoni kripë dhe piper dhe bluajeni dhe për pak sekonda.
  9. Humusi është gati.
  10. Mund ta shoqëroni me pite ose me perime.

Recetat e Mandarina në email-in tuaj

Vendosni adresën e email-it tuaj për tu regjistruar.

4 mendime mbi “Receta bazike për të përgatitur humus

Lini një Përgjigje