Një nga gjërat që më pëlqen më shumë te pastat është fakti që mund të kombinohen në mënyra nga më të ndryshmet dhe përgatiten shumë shpejt.
Pastat e mia të preferuara për momentin janë pastat integrale me salcë tahini dhe perime. Më pëlqen shumë si kombinohen tekstura kremoze e tahinit me atë të pastave integrale e perimeve. Nëse dëshironi mund të shtoni edhe një fileto pule të prerë në kubik.
Përbërësit
Për 2 persona
- 1 kungull (kungulleshkë) mesatar
- 1 karrotë mesatare
- 1 lugë gjelle (tbs) susam i zi
- 1 lugë gjelle (tbs) salcë soje
- 2 lugë gjelle (tbs) tahini (gjalp susami)
- Pak vaj ulliri për të kavërdisur perimet
- Majdanoz të grirë hollë sipas dëshirës
- Kripë dhe piper
- Spaghetti (ose çfarëdo lloj tjetër paste) integrale për 2 persona
Përgatitja
Për një darkë më të shpejtë, idealisht duhet të përgatisim paralelisht pastat dhe salcën.
Pastrojmë dhe presim në kubik perimet e i lëmë mënjanë.
Vendosim një tigan në temperaturë të lartë dhe hedhim pak vaj ulliri.
Në momentin që vaji është nxehur, i kavërdisim perimet për rreth 4-5 minuta. Shtojmë salcën e sojës dhe e lëmë përbërjen në zjarr edhe për 1 minutë më tepër.
Marrim 2 lugë gjelle (tbs) ujë nga pastat që janë duke u përgatitur, dhe ia shtojmë tahinit dhe e trazojmë mirë. Më pas këtë përbërje e shtojmë mbi perimet. E kontrollojmë nëse ka nevojë për kripë.
Në momentin që pastat janë gati i bashkojmë me salcën me tahini dhe perime që kemi përgatitur.
Në fund shtojmë farat e susamit, majdanozin e grire dhe pak piper.
Shpejt, thjesht, shëndetshem, shijshëm 🙂
Lini një Përgjigje