Është ai moment i vitit kur ballokumet, apo siç i quajmë në dialekt “ballakumet”, i gjejmë kudo, në market, në furra buke, në pastiçeri e madje edhe në rrugë te shitësit ambulant. Kjo ëmbëlsirë tradicionale e thjeshtë në përbërës, por disi delikate në teknikë është simboli i Ditës së Verës, një festë pagane që i ka rezistuar shekujve, bashkë me veroren shumëngjyrëshe që mezi e prisnim kur ishim fëmijë.
Shtëpia e ballokumeve është Elbasani, ndaj recetën më duhej ta kërkoja mes miqve nga Elbasani që njoh. Kështu që për këtë post shkojnë shumë falenderime për Xhulian dhe Ivlinin.
Tradita e do që gjalpi me sheqerin të rrihen me lugë druri në një enë bakri deri sa të dyfishojnë volumin. Ky është sekreti i butësisë dhe shkriftësisë së tyre. Këtu unë i qëndrova besnike pjesërisht traditës, pasi në mungesë të mjeteve mu desh të përdorja rrahësen elektrike. Edhe pse besoj fort që ndjekja e metodës tradicionale është ajo çka i bën ballokumet magjike, prapë edhe duke e kryer këtë proçes me rrahëse elektrike rezultati ishte shumë i mirë. Ballokumet dolën shumë të shkrifta, të buta brenda e krokante jashtë, një dashuri me pak fjalë.
Një gjë tjetër me të cilën do doja të eksperimentoja është sasia e sheqerit dhe gjalpit. Unë do ti preferoja ballokumet më pak të ëmbla dhe me pak më shumë gjalp, por nuk e di se si do ndikonte ulja e sasisë së sheqerit dhe rritja e sasisë së gjalpit në strukturën e tyre, kështu që si herë e parë që ishte ndoqa fiks recetën tradicionale. Eksperimenti tjetër do përfshijë edhe shafran, duke qenë se zona e Dumresë në Elbasan, ka shafran fantastik. Kështu që do flasim shumë shpejt sërish për ballokumen.
Ballokume
Ingredients
Përbërësit
- 1 kg miell misri nga i cili kemi hequr 1/3 kupë (ose një grusht)
- 1 kg sheqer
- 400 g gjalp
- 8 vezë, idealisht vezë fshati
- 1/3 kupë miell gruri (ose një grusht)
- ½ lëvozhgë veze me ujë me finj
Instructions
Përgatitja
- Shkrijmë gjalpin dhe i heqim shkumën që del në sipërfaqe.
- E lëmë të ftohet disi.
- Ndërkohë që gjalpi ftohet në një gotë me ujë shtojmë pak finj dhe e lëmë të kullojë.
- Shtojmë sheqerin dhe me një rrahëse elektrike e rrahim masën deri sa të dyfishihoet në volum. Mua mu desh rreth 30 minuta për këtë.
- Më pas shtojmë vezët 2 e nga 2 dhe e rrahim masën 5-7 minuta cdo herë.
- Shtojmë miellin e misrit, pjesë-pjesë dhe e trazojmë përbërjen vazhdimisht të paktën 4-5 minuta pas çdo shtese.
- Shtojmë një gjysëm lëvozhgë veze me ujë me finj.
- Në fund shtojmë miellin e grurit dhe e trazojmë sërish.
- Përgatisim tepsitë me letër pjekjeje e ndërkohë e parangrohim furrën në 180 gradë.
- Unë përdora një lugë akulloreje për të ndarë brumin, mund të përdorni dhe dy lugë gjelle.
- Vendosini ballokumet e papjekura larg njëra-tjetrës, pasi hapen kur piqen.
- Lërini të piqen deri sa të fillojnë të marrin një ngjyrë të artë të lehtë në anë e në sipërfaqe. Koha varet nga madhësia e ballokumeve. Unë bëra disa të mëdha që donin rreth 20-25 min të piqeshin, e disa të vogla që donin 10-15 min të piqeshin.
- Lërini të ftohen disi para se ti hiqni nga tepsia, e më pas lërini të ftohen plotësisht para se ti fusni në enën ku do ti ruani.
Notes
Me sugjerimin e Xhulias unë përdora një miell misri të markës Dieta, që kishte të specifikuar në etiketë që ishte i përshtatshëm për ballokume, dhe mbeta shumë e kënaqur. Kjo nuk është një reklamë, është thjesht një shpjegim për orientim.
Lini një Përgjigje