Me pranverën fillojnë dhe perimet plot shije dhe ngjyra, me të cilat mund të krijojmë pjata pa fund. Bizelet kanë filluar të dalin në tregjet e fruta-perimeve, e unë mezi pres të gatuaj me to. Përveç pjatave klasike me bizele, me të cilat jemi rritur, me to mund të luajmë shumë, duke i perfishirë si në sallata, supa apo pure ashtu edhe në pasta dhe rizoto.
Receta e parë pranverore është në fakt një rizoto me bizele dhe pesto majdanozi. Eshtë kaq e shijshme dhe e freskët, sa jam e sigurt që shpejt do bëhet e preferuara juaj. Për më tepër gatuhet në më pak se 1 orë dhe kërkon shumë pak mund.
Rizoto me bizele dhe pesto majdanozi
Yield 4 persona
Ingredients
Përbërësit
Për rizoton
- 1 & 1/2 kupë oriz për rizoto
- 1 qepë e vogël
- 250 g bizele të qëruara (pra të plota duhen më shumë)
- 4 kupa lëng perimesh i ngrohtë, në mungesë të tij mund të përdorni ujë
- 60 g gjalp
- 1 lugë gjelle (tbs) vaj ulliri
- ½ kupë djath kaçkavall i grirë
- ½ kupë verë e bardhë
- Kripë
- Piper
- Pakëz arrë moskati e freskët e grirë
Për peston e majdanozit
- 1 tufë majdanoz i freskët
- 2 lugë gjelle (tbs) vaj ulliri
- ¼ kupë fara luledielli (opsionale)
- ¼ kupë ujë
Instructions
Përgatitja
Salca e majdanozit
- Pastrojmë majdanozin dhe e vendosim në blender bashkë me vajin e ullirit, ujin dhe farat e lulediellit,
- Bluajmë përbërjen deri sa të jetë bërë homogjene.
- E lëmë mënjanë.
Rizoto
- Grijmë qepën imët.
- Në një tigan të madh që nuk ngjit shtojmë vajin e ullirit.
- E lëmë të ngrohet në temperaturë mesatare dhe më pas shtojmë qepën.
- E kavërdisim qepën për 10-15 minuta në temperaturë të ulët, duke patur kujdes të mos errësohet.
- Ngremë temperaturën e sobës dhe shtojmë orizin dhe e kavërdisim për pak sekonda.
- Më pas shtojmë verën duke e trazuar vazhdimisht deri sa të ketë avulluar e gjitha.
- Kur vera të ketë avulluar shtojmë bizelet dhe e trazojmë përbërjen mirë.
- Ulim temperaturën dhe shtojmë pak nga pak lëngun te orizi duke e trazuar vazhdimisht në mënyrë që orizi të lëshojë amidonin e masa të bëhet kremoze.
- E vazhdojmë këtë proçes deri sa orizi ta ketë marrë pothuajse të gjithë lëngun e të jetë bërë kremoz.
- I gjithë proçesi zgjat rreth 30 minuta.
- 5 minuta para përfundimit shtojmë kripë, piper, gjalpin dhe salcën e majdanozit dhe e përziejmë mirë.
- E heqim nga zjarri dhe në fund shtojmë djathin e grirë duke e trazuar vazhdimisht në mënyrë që djathi të shkrijë e përbërja të bëhet edhe më kremoze.
E servirim menjëherë me një Coca-Cola!
Notes
Shënim : 1 kupë – 1 filxhan/gotë me volum 240 ml
Lini një Përgjigje