Vezë të rrahura me djathë dhe spinaq

 

Çdo herë që kam nevojë të përgatis një vakt të shpejt dhe të ushqyeshëm zgjedh të gatuaj vezë; në formën vezë sy, omëletë, të rrahura apo poshe. Vezët e rrahura zgjedh ti bëj kur kam pak kohë dhe jam shumë e uritur.

Janë shumë të thjeshta për tu përgatitur, të shëndetshme e të shijshme. Në këtë recetë do iu tregoj si të përgatisni vezë të rrahura me spinaq dhe djathë të bardhë, që i shtojnë jo vetëm shijen por edhe vlerat ushqyese.

Koha e përgatitjes – 10 min

Përbërësit

Për 1 person

  • 2 vezë
  • ¼ kupë qumësht
  • 30 g djathë i bardhë
  • Një dorë spinaq të pastruar e të grirë
  • 1-2 degë majdanoz të prerë imët
  • 1 lugë gjelle vaj ulliri ose gjalpë
  • Kripë
  • Piper
  • Pak fara të pjekura (fara lini, luledielli, susami)

Përgatitja

  1. Thyejmë vezët dhe i hedhim në një tas mesatar.
  2. Shtojmë qumështin , pak kripë, pak piper dhe i rrahim mirë deri sa të krijohet një masë pothuajse homogjene.
  3. Në një tigan nxehim vajin e ullirit në temperaturë të ulët në mesatare.
  4. Shtojmë vezën dhe sapo fillon të ngurtësohet e përziejmë masën me anë të një spatule silikoni.
  5. Shtojmë spinaqin, majdanozin dhe djathin e thërrmuar dhe e përziejmë vazhdimisht përbërjen.
  6. E heqim nga zjarri në momentin që veza është gatuar pothuajse plotësisht, pasi kur e heqim nga zjarri nxehtësia që mban vet përbërja vazhdon ta gatuaj.
  7. E spërkasim me fara sipër dhe e konsumojmë të ngrohtë.

Thjesht, shpejt, shëndetshëm, shijshëm 🙂

 

Lini një Përgjigje