Truffles me arrë kokosi

Truffles me arre kokosiTruffles me arrë kokosi dhe qumësht të kondensuar të ëmbëlsuar, ose siç e njohim ndryshe, qumësht Panda janë thjesht fantastike. I kam bërë me qindra herë, për festa, ditëlindje, si dhuratë, apo thjesht për qef, për të llastuar veten e njerëzit e dashur.

Këto truffles i përgatis në 2 mënyra, të gatuara dhe të pagatuara. Kjo e dyta është më e thjeshtë për tu përgatitur, edhe pse në këtë mënyrë truffles janë pak më të buta dhe nëse i lëmë në temperaturë ambienti e humbasin formën menjëherë.

Ashtu sikurse truffles me çokollatë të zezë, edhe truffles me qumësht të kondensuar janë një dhuratë e shkëlqyer, mjafton ti vendosni në një kuti të kendshme me një fjongo sipër. Nëse doni ti dhuroni duhet të përgatisni versionin e gatuar, i cili e ruan më mirë formën.

Truffles me arre kokosi
Truffles me qumësht të kondensuar të ëmbëlsuar (qumësht panda) të gatuara

Përbërësit

Për 20 – 30 truffles 

  • 1kupë qumësht i kondensuar i ëmbëlsuar
  • 1 lugë gjelle (tbs) gjalp
  • 1& ½ kupë arrë kokosi e grirë dhe e tharë

Shënim : 1 kupë – 1 filxhan/gotë me volum 240 ml

Përgatitja

  1. Bashkoni gjalpin me qumështin e kondensuar të ëmbëlsuar dhe vendoseni ta ngrohni në temperaturë të ulet në mesatare.
  2. Gatuajeni përbërjen deri sa të trashet, për rreth 10-12 minuta.
  3. Hiqeni nga zjarri dhe shtoni 1 & 1/4 kupë arrë kokosi të grirë e miksojeni mirë.
  4. Hidheni në një enë dhe lëreni të ftohet në temperaturë ambienti ose në frigorifer.
  5. Hiqeni përbërjen nga frigoriferi dhe formoni toptha të vegjël.
  6. Spërkatini me arrë kokosi sipër.
  7. Mbajini në frigorifer dhe nxirrini pak minuta para se ti servirni.

 

Truffles me qumësht të kondensuar të ëmbëlsuar (qumësht panda) të pagatuara

Përbërësit

Për 15-20 truffles 

  • 1/2 kupë qumësht i kondensuar i ëmbëlsuar
  • 2 kupa arrë kokosi e grirë

Shënim : 1 kupë – 1 filxhan/gotë me volum 240 ml

Përgatitja

  1. Bashkoni 1 & ½ kupë arrë kokosi të grirë me qumështin e kondensuar të ëmbëlsuar.
  2. Vendoseni përbërjen në frigorifer për 30 min.
  3. Hiqeni nga frigoriferi dhe formoni toptha të vegjël.
  4. Spërkatini me arrë kokosi .
  5. Ruajini në frigorifer dhe nxirrini pak minuta para se ti servirni.

Ju bëftë mirë !

Truffles me arre kokosi

Truffles me arre kokosi

Truffles me arre kokosi

Recetat e Mandarina në email-in tuaj

Vendosni adresën e email-it tuaj për tu regjistruar.

Lini një Përgjigje