Supë me presh dhe patate

Share

Pasi pashë filmin “Julie & Julia”, doja të provoja të gatuaja një recetë të Julia Child. Supa me presh dhe me patate dukej si një zgjedhje e rehatshme në pamje të parë. Kisha të drejtë, kjo supë gatuhet në më pak se 1 orë dhe është shumë e thjeshtë për tu përgatitur dhe për më tepër mund të bëheni kreativ duke shtuar perime dhe erëza sipas shijeve tuaja. Sikurse thotë edhe Julia Child në librin e saj “Mastering the art of French cooking” – “Supa me presh dhe me patate ka arome shumë të mirë, shije shumë të mirë dhe është thjeshtësia vet për tu përgatitur. Është  veç kësaj një bazë supe që mund të përshtatet shumë thjeshtë. Për të ndryshuar pak formulën mund të shtoni karrota, barbunja, lulelakër, brokoli, apo çdo përbërës tjetër që ju vjen në mend e që përshtatet me shijet tuaja”.

Receta më poshtë është përshtatja ime e recetës origjinale të Julias.

Koha : 1 ore

Për 6 – 8 persona 

Përbërësit

  • 500 g patate (të qëruara e të prera në kubik)
  • 500 g presh të pastruar e të prere hollë
  • 6 kupa ujë (nëse dëshironi mund ta zëvendësoni me lëng perimesh)
  • 2 (lugë gjelle) lëng limoni
  • 100 ml krem qumeshti (pana)
  • 1/3 kupë majdanoz të grirë hollë
  • Kripë
  • Piper
  • 2 lugë gjelle (tbs) vaj ulliri
  • 1-2 lugë gjelle (tbs) lëng limoni

Shënim : 1 kupë – 1 filxhan/gotë me volum 240 ml

Përgatitja

Në një tenxhere të madhe vendosni 2 lugë vaj ullirir në zjarr mesatar. Shtoni pataten dhe preshin dhe kavërdisini për 8-12 minuta.

Shtoni ujin dhe lërini të ziejnë. Në momentin që arrin pikën e vlimit ulni temperaturën dhe lëreni nv zjarr të avashtë për 30-40 minuta, deri sa të gjithë perimet të jenë zbutur.

Hiqeni tenxheren nga zjarri dhe kalojeni masen në blender për 2-3 minuta deri sa e gjitha të jetë bërë nje masë homogjene.

Shtoni kremin e qumështit (panën), lëngun e limonit, kripën dhe piperin.

Sevireni në pjata të thella dhe shtoni në fund majdanozin e grirë sipër.

Shpejt, thjesht, shëndetshëm, shijshëm 🙂

Recetat e Mandarina në email-in tuaj

Vendosni adresën e email-it tuaj për tu regjistruar.

Lini një Përgjigje