Sekreti për të përgatitur patatet e furrës më të mira që keni provuar shoqëruar me salcë aioli

Share

Të gjithë i kemi qef patatet e furrës shoqëruar me një salcë të shijshme. Aroma e patateve të furrës është kaq e mirë, e ndërkohë  është shumë qef të eksperimentosh me salca të ndryshme për të shoqëruar patatet.

Sekreti për ti bërë patatatet e furrës të shkëlqyera është ti ziesh për pak minuta e më pas ti pjekësh. Në këtë mënyrë ato krijojnë një shtresë kërce në sipërfaqe dhe janë të buta e plot me shije brenda.

Salcën me avokado, me origjinë nga vendet latine, të quajtur aioli nuk e kisha provuar deri para pak kohësh në një bistro të vogël në Dyseldorf. Ishte nga ato gjëra që sapo e provova doja ta rikrijoja. Më poshtë po ndaj me ju versionin tim të salcës aioli, që në fakt nuk është shumë pranë recetës tradicionale, por që mua më pëlqen shumë.

Uroj ta provoni dhe të më shkruani përshtypjet tuaja si dhe të ndani me mua versionin tuaj të salcës aioli nëse e gatuani në shtëpitë tuaja.

Mua më pëlqen shumë ta shërbej salcën aioli mbi patate furre, por ajo ka plot përdorime të tjera. Salcën aioli mund ta përdorni për të shoqëruar fileto pule ose peshku, si salcë për sallatat, apo tostin tuaj.

Përbërësit 

Për 4 persona

 Patate furre

  • 4 patate mesatare
  • Ujë për të zier patatet
  • 2 lugë gjelle (tbs) vaj ulliri
  • 2 lugë gjelle (tbs) gjalp

Salca Aioli

  • 1 avokado mesatar i pjekur mirë
  • 1/2 kupë kos grek (në mungese mund të përdorni salcë kosi, ose kos normal)
  • 1 lugë gjelle (tbs) lëng limoni
  • 1/3 lugë caji (tsp) hudhër pluhur
  • Kripë
  • Piper

 Përgatitja

  1.  Vendosni të ziej një tenxhere të madhe me ujë dhe ndërkohe ngrohni furrën në 200 gradë celsius.
  2. Ndërkohë prisni patatet, duke u munduar që copat të kenë të njëjtat përmasa që të piqen njëtrajtësisht.
  3. Në momentin që uji arrin pikën e vlimit, hidhni patatet dhe lërini të ziejnë për rreth 10-12 minuta në temperaturë të lartë.
  4. Hiqini nga uji, shtoni kripë, piper, gjalpin dhe vajin e ullirit dhe trazojini mirë, në mënyrë që e gjithë përbërja të marinohet mirë.
  5. Vendosini të piqen në një tepsi të madhe të cilën e kemi bërë paraprakisht me pak vaj ulliri, për 20-35 minuta, në varësi të furrës suaj. Patatet janë pjekur kur formojnë një shtresë kërce në sipërfaqe, në ngjyrë të artë në kafe.
  6. Hiqini nga furra dhe lërini të ftohen disi.
  7. Ndërkohë përgatisni salcën aioli. Kjo salcë duke qenë se përmban avokado tenton të nxihet shpejt në kontakt me ajrin, ndaj ju sugjeroj ta përgatisni vetëm pak caste para se ta shërbeni.
  8. Prisni avokadon, hiqini bërthamën dhe lëkurën.
  9. Vendosni në blender tulin e avokados, kosin, lëngun e limonit, kripë, piper dhe pluhurin e hudhrës dhe bluajini deri sa të formohet një masë homogjene.
  10. Shërbejini patatatet me salcën aioli sipër.

Recetat e Mandarina në email-in tuaj

Vendosni adresën e email-it tuaj për tu regjistruar.

Lini një Përgjigje