Si të përgatisim granola në shtëpi

Share

Kjo ka qenë një periudhë shumë e ngarkuar për mua dhe do doja thjesht të pushoja, kësaj radhe edhe nga kuzhina. Kështu që në vend të ndonjë recete biskotash, keku apo ndonjë gatimi të kripur po ndaj me ju recetën e granolës, një recetë bazike që shijon shkëlqyer.

Granola është në thelb tërshërë e kombinuar me fruta të thata, fara dhe fruta të thara, e pjekur në furrë.

Është e shkëlqyer për të shoqëruar pothuajse çdo gjë, nga kosi e qumështi i mëngjesit, ëmbëlsira apo akullore, madje ndonjëhere edhe sallata. Unë e përdor shumë, e shpesh bëj shaka duke thënë se nuk jetoj dot pa granola në shtëpi.

Granola jo vetëm shijon shkëlqyer por është edhe shumë e shëndetshme, e gatuar me drithra, vaj ulliri ektra të virgjër dhe e ëmbëlsuar natyralisht.

Më poshtë, po ndaj me ju recetën time bazike të granolës, të cilën mund ta përshtasni sipas shijes suaj. Mund të luani me erëzat, llojet e frutave të thata, ëmbëlsuesit etj.

Përbërësit

  • 4 kupa tërshërë
  • ½ kupë fara luledielli
  • ½ kupë fara kungulli
  • 2/3 kupë arra të copëzuara
  • ½ kupë rrush i thatë
  • 1/3 kupë mjalt
  • 1/3 kupë vaj ulliri
  • ¾ lugë çaji (tsp) kripë
  • 1 lugë caji (tsp) kanellë (opsionale)

Përgatitja

  1. Parangrohni furrën në 160 gradë celsius.
  2. Vendosni letër kuzhine në një tepsi të madhe.
  3. Në një tas të madh bashkoni tërshërën, frutat e thata, farat, kripën dhe kanellën dhe trazojini.
  4. Nëse mjalti juaj ka ngrirë atëherë ngroheni pak në mënyrë që të arrij një konsistencë disi të lëngshme.
  5. Shtoni mjaltin dhe vajin e ullirit në përbërjen e tërshërës dhe miksojeni mirë, që të siguroheni që të gjithë përbërësit janë prekur nga vaji i ullirit dhe mjalti.
  6. Shpërndajeni granolën në një tepsi të madhe në mënyrë uniforme që pjekja të bëhet sa më uniformë.
  7. Piqeni për rreth 20-25 minuta. Pas minutit të 15 duhet ta trazoni në mënyrë që të mos digjet e të piqet sa më mirë. Këtë proçes duhet ta përsërisni 2-3 herë, pak a shumë çdo 5 minuta, pas minutit të 15-të.
  8. Pasi granola është pjekur nxirreni nga furra dhe lëreni të ftohet në tepsi.
  9. Ruajeni në enë qelqi hermetike në temperaturë ambienti deri në 3 javë.
  10. Shijojeni mbi çdo gjë : kos, akullore, qumësht, sallatë e ku të mendoni se përshtatet sipas shijes suaj.

Recetat e Mandarina në email-in tuaj

Vendosni adresën e email-it tuaj për tu regjistruar.

Lini një Përgjigje