Si të gatuajmë krem pastiçerie – receta bazë

Share

Kjo është receta e parë e një serie recetash bazike që do të postoj në blog. E para është një nga recetat bazë të pastiçerisë, kremi i pastiçerisë, në formën më bazike plus disa sugjerime se si mund ta aromatizoni e ti pasuroni shijen.

Unë përdor pjesërisht qumësht dhe pjesërisht krem qumështi të paëmbëlsuar për të përgatitur krem pastiçerie, duke qenë se kremi i qumështit e bën pak më kremoz e më të plotë shijen.

Për të aromatizuar kremin e pastiçerisë mund të zgjidhni forma nga më të ndryshmet duke filluar nga vanilja e kanella, e duke vazhduar me kardamomin, lekurën e portokallit, lëkurën e limonit apo ekstraktin e bajameve.

Kremi i pastiçerisë ka përdorime pafund: mund të mbushni krostata apo tarta, ta përdorni për të mbushur tortat me disa shtresa, për të mbushur pastat shu apo mini-kekët, ose thjesht ta konsumoni si puding duke shtuar disa fruta të freskëta.

Për të përgatitur kremin e pasticerisë unë përdor një metodë shumë të thjeshtë, e cila do vëmendjen tuaj për rreth 20 minuta, por që nuk iu lodh e do më pak kujdes se metoda tradicionale, plus që do bëni pis vetëm një enë e jo disa.

Nëse po vrisni mendjen çfarë të bëni me të bardhat e vezëve që iu kanë mbetur mund të eksperimentoni me biskotat me arrë kokosi, mini-kekët me bajame ose krekërs me susam që i gjeni në blog.

Përbërësit:

  • 300 ml qumësht (1 & 1/4 cup)
  • 200 ml (3/4 cup & 1 tbs) krem qumështi i paëmbëlsuar – mund ta zëvendësoni kremin e qumështit me qumësht dhe të përdorni 500 ml qumësht në total (2 kupa & 1 lugë gjelle)
  • 2/3 kupë sheqer
  • 5 të verdha veze
  • 4 lugë gjelle niseshte misri
  • 1 lugë çaji ekstrakt vanilje

Alternative të tjera për ta aromatizuar e për ti pasuruar shijen : lëkurë limoni, lëkurë portokalli, ekstrakt bajamesh, kardamom, kanellë etj.

Shënim : 1 kupë – 1 filxhan/gotë me volum 240 ml

Përgatitja:

  1. Bashkoni çdo gjë në një tigan të thellë mesatar deri sa perbërja të jetë homogjene.
  2. Vendoseni të gatuhet në zjarr mesatar, por kini kujdes duhet ta trazoni gjatë gjithë kohës, deri sa përbërja të trashet e të shihni flluska të mëdha në sipërfaqe (ky proçes zgjat rreth 15-20 min).
  3. Hiqeni nga zjarri dhe hidheni në një tas qelqi mbuluar me një letër celofani, në mënyrë që kremi të mos ngurtësohet sipër (të zërë cipë).
  4. Lëreni të ftohet plotësisht para përdorimit.

Krem pasticerie

Recetat e Mandarina në email-in tuaj

Vendosni adresën e email-it tuaj për tu regjistruar.

Lini një Përgjigje