Sallatë me spinaq, luleshtrydhe dhe mocarela

Share

Unë vdes për sallata. Janë të freskëta, të thjeshta për tu përgatitur, të lehta, të shijshme, plot me ngjyra dhe të lënë të fantazosh sa të duash, e të miksosh lloj-lloj përbërësish. Kohet e fundit kam përgatitur shpesh këtë sallate që është një miks spinaqi të freskët, sallate jeshile, rrepash dhe luleshtrydhesh. Më pas i shtoj pak mocarela, fara, bajame dhe rrush të thatë, dhe përfundimi është ky miksimi plot me ngjyra dhe shije.

Përgatis një marinim shpejt e shpejt dhe një super pjate është gati në më pak se 5 min.

Përbërësit

  • 1 dorë sallatë jeshile
  • 1 dorë spinaq i freskët
  • 50 g mocarela
  • 5-7 luleshtrydhe
  • 1 rrepë e vogël
  • 1 lugë gjelle rrush i thatë
  • 1 lugë gjelle bajame të pjekura pak
  • 1 lugë gjelle miks farash lini, susami, luledielli të pjekura pak

Marinimi i sallatës mund të bëhet në 3 mënyra

Versioni 1

  • 2 lugë gjelle vaj ulliri
  • 1 lugë gjelle lëng limoni
  • Kripë
  • Piper

Versioni 2

  • 1 lugë gjelle tahini
  • 1/2 lugë gjelle mjaltë
  • 1 lugë gjelle limon
  • Kripë
  • Piper

Versioni 3

  • 1 lugë gjelle vaj ulliri
  • 1 lugë çaji uthull balsamike
  • Kripë
  • Piper

Përgatitja

Copëtojmë me dorë sallatën jeshile dhe spinaqin.

Shtojmë luleshtrydhet dhe mocarelën e prerë.

Presim rrepën ne feta të holla dhe gjithashtu e shtojmë në sallatë

Përgatisim marinim e sallatës duke i trazuar mirë gjithë përbërësit dhe ia hedhim sallatës. E trazojmë duke u kujdesur që e gjithë sallata të marrë marinimin.

Në fund shtojmë sipër bajamet e copëtuara, farat dhe rrushin e thatë.

Thjesht, shpejt, shëndetshëm, shijshëm 🙂

IMG_0419

Lini një Përgjigje