Sallatë me rukola dhe thjerëza – një kombinim plot ngjyra dhe shije

Share

Tani që moti fillon të ngrohet , natyrshëm më shkon mendja te sallatat.  Më pëlqen shumë të konsumoj një sallatë të mirë, për darkë e ndonjëherë edhe për drekë.  I dua shumë sallatat pasi janë të freskëta, plot me ngjyra dhe shije prej të gjithë perimeve.

Sot po ndaj me ju një nga recetat e mia të preferuara, “Sallatë me rukola dhe thjerëza”, që është aq e thjeshtë sa isha me dy mendje nëse ia vlente ti dedikoja një postim të veçantë në blog apo jo.

Është një sallatë, por duke qenë se përfshin thjerëzat që janë plot me fibra dhe proteina, si dhe frutat e thata, do ju mbaj ngopur për një kohë të gjatë, kështu që mund ta konsideroni dhe si një drekë të shpejtë.

Sallata me rukola dhe thjerëza ruhet mirë në kavanoz apo në një tas qelqi me mbyllje hermetike kështu që mundet shumë thjeshtë ta transportoni edhe në punë. Vetëm mos harroni kripa, piperi, vaji i ullirit dhe aceto balsamike duhen shtuar në momentin që do ta konsumoni, kështu perimet do ta ruajnë freskinë.


Përbërësit 

  • 2 duar plot me rukola
  • 1 dorë domate qershi, ose 1 domate e madhe
  • 1/2 kupë thjerëza të pagatuara , që kur gatuhen bëhen pak a shumë 2/3 kupë (unë përdora thjerëza të zeza për këtë sallatë, por ndjehuni të lirë të përdorni çfarë t’iu pëlqej, apo çfare të keni në shtëpi)
  • 2 lugë gjelle (tbs) vaj ulliri
  • 1 lugë gjelle (tbs) aceto balsamike
  • Arra të copëtuara
  • Ujë për të gatuar thjerëzat
  • Kripë
  • Piper

Shënim : 1 kupë – 1 filxhan/gotë me volum 240 ml

Përgatitja

  1. Lërini thjerëzat në ujë për rreth 2 orë (kjo ndihmon që të gatuhen më shpejt).
  2. Derdhni ujin ku keni lënë thjerëzat, shtoni ujë të freskët, pak kripë, dhe ziejini deri sa thjerëzat të zbuten, por ende ta ruajnë formën (të miat u gatuan për rreth 20 min).
  3. Ndërkohë që thjerëzat ziejnë pastroni rukolën dhe vendoseni në enën që do shërbeni sallatën.
  4. Pastroni  dhe prisni domatet dhe shtojini dhe ato tek rukola.
  5. Pasi thjerëzat janë zier, lëreni pak minuta të ftohen e më pas shtojini në sallatë.
  6. Shtoni arrat, kripë, piper, e në fund përzierjen e vajit të ullirit me aceton balsamike.
  7. Përziejeni mirë sallatën dhe shijojeni.

PS. Edhe pse është sallatë , përmban të gjithë vlerat ushqyese që ju duhen në një vakt të plot. Mjafton të shtoni pak karbohidrate si bukë integrale, pite apo pasta.

Recetat e Mandarina në email-in tuaj

Vendosni adresën e email-it tuaj për tu regjistruar.

#sallate #rukola #thjeshte #shendetshem #vegane #recete #shqip

Lini një Përgjigje