Sallatë me patate të ëmbël, mel dhe gjethe jeshile

Share

Sikurse ju kam thënë, unë i kam shumë qef sallatat. Kësaj here po ndaj me ju një dashuri të vjetër, sallatën me patate të ëmbla, mel dhe gjethe jeshile.

Kjo sallatë fantastike, me shijet e tokës, ishte nga ato sajesat rastësore që ndodhin kur pastrojmë frigoriferin.

Kisha pak spinaq e sallatë jeshile të mbetur në frigorifer, si dhe ca mel të gatuar. Shtova dhe nje patate të ëmbël që gjithashtu kishte ca ditë që rrinte në dollap, dhe baza e sallatës ishte gati.

Për ta pasuruar shijen i shtova ca fara kungulli dhe susami si dhe përgatita një marinim me pak tahini, vaj ulliri, limon dhe açeto balsamike fiku.

Nëse doni të provoni receta të tjera sallatash keni shume zgjedhje në blog.

Sweet potato and greens salad

Përbërësit 

Baza e sallatës

  • 2 duar plotë me sallatë jeshile dhe spinaq
  • 1 patate e ëmbël mesatare
  • 1/3 kupë mel i pagatuar
  • 2/3 kupë ujë
  • 1/4 kupë fara kungulli
  • Kripë
  • Piper
  • Spec djegës i tharë, i copëzuar

Marinimi

  • 1 lugë gjelle (tbs) lëng limoni
  • 1 lugë gjelle (tbs) açeto balsamike fiku, ose çfarëdolloj tjetër açetoje balsamike
  • 1 lugë gjelle (tbs) vaj ulliri
  • 1 lugë gjelle (tbs) tahini
  • 2 lugë gjelle (tbs) ujë

Shënim : 1 kupë – 1 filxhan/gotë me volum 240 ml

 Përgatitja

  1. Filloni përgatitjen nga meli dhe patatja e ëmbël.
  2. Në një enë të vogël në temperaturë mesatare shtoni melin, ujin dhe pakëz kripë. Vendosini të ziejnë në temperaturë mesatare për rreth 15 minuta. Gjatë kesaj kohe meli do ta ketë thithur të gjithë ujin dhe do të jetë gatuar.
  3. Ndërkohë që meli është duke zier gatuani patataten e ëmbël.
    Pastrojeni pataten me ujë të rrjedhshëm, thajeni me një letër kuzhine, priteni ne kubik, pa ia hequr lëkurën dhe kavërdiseni me pak vaj ulliri, kripë dhe piper për rreth 15-20 min ose deri sa patatja të jetë gatuar. Koha e gatimit varet nga madhësia në të cilën prisni kubikët e patates.
  4. Pastroni sallatën jeshile dhe spinaqin. Këtij të fundit hiqini dhe bishtat dhe copëtojeni me dorë e hidheni në një enë mesatare.
  5. Përgatisni marinimin për sallatën duke bashkuar në një kavanoz të vogël vaj ulliri, lëng limoni, açeton balsamike, tahinin dhe ujin. Tundeni mirë kavanozin që masa të bëhet sa më e njëtrajtshme.
  6. Shtoni melin dhe pataten e ëmbël mbi jeshilet e copëtuara me dorë. Kujdes që meli dhe patatja të mos jenë të nxehtë, në mënyrë që të mos i prishin strukturën sallatës jeshile dhe spinaqit.
  7. Shtoni farat e kungullit, kripë, piper dhe specin djegës. Në fund shtoni marinimin e salltës dhe trazojeni mirë.

Shijojeni me bukë integrale.

Sweet potato and greens salad

Recetat e Mandarina në email-in tuaj

Vendosni adresën e email-it tuaj për tu regjistruar.

Lini një Përgjigje