Sallatë me bullgur – një nga pjatat e mia të preferuara verore

Share

Sallate verore me bullgurSallata me bullgur është një nga pjatat e mia të preferuara në verë. Është e freskët, plot me ngjyra dhe bëhet gati në pak minuta. Sallatën me bullgur e përgatis zakonisht në mëngjes për ta marrë me vete në punë.

Kjo sallatë është plot me përbërës të stinës si dhe me një nga drithrat e mi të preferuar, bullgurin. Bullguri është grurë që është përpunuar dhe është gati të gatuhet në më pak se 20 min. Përdoret më shumë në kuzhinën Europiane, të Lindjes së mesme dhe Indiane. Unë zakonisht e shtoj nëpër sallata, për më shumë shije dhe sigurisht për më shumë fibra.

Më poshtë po postoj sallatën me bullgur në version e saj më të thjeshtë, por ju mund ta përshtasni sipas shijeve tuaja duke shtuar perime të tjera, apo fruta të thata. Nëse jeni kurioz të provoni receta të tjera të thjeshta, të shpejta e të shëndteshme keni plot zgjedhje në blog.

Kjo recetë është për 1 person nëse do konsumohet si vakt i plotë ose për 2 nëse do jetë si element shoqërues në pjatën tuaj.

Koha e përgatitjes : 30 min

Përbërësit

  • ½ kupë bullgur
  • 1 kupë ujë
  • 1 domate mesatare
  • 1 spec i freskët i kuq (opsional)
  • 1 rrepë (opsionale)
  • 30 g djath i bardhë (opsional)
  • ¼ – ½ tufë majdanozi
  • 1 lugë gjelle (tbs) fara luledielli
  • 1-2 lugë gjelle (tbs) lëng limoni, në varësi të se sa ju e pëlqeni shijen e athët
  • 1 lugë gjelle (tbs) vaj ulliri
  • Kripë
  • Piper

Shënim : 1 kupë – 1 filxhan/gotë me volum 240 ml

Përgatitja

  1. Vendosni bullgurin të ziej në një tigan të thellë në zjarr mesatar bashkë me ujin dhe lëreni të arrij pikën e vlimit. Pasi ka arritur pikën e vlimit, uleni temperaturën dhe lëreni të ziej për rreth 15-20 min, ose deri sa i gjithë uji të jetë thithur nga bullguri, dhe bullguri të jetë zbutur, por ende ta ruaj formën.
  2. Hiqeni nga zjarri dhe lëreni të ftohet pak.
  3. Ndërkohë, përgatisni përbërësit e tjerë. Pastroni dhe prisni në copëza të vogla domaten, specin dhe majdanozin dhe vendosini në një enë të thellë.
  4. Pastroni dhe prisni në feta rrepën, gjithashtu thërrmoni djathin dhe shtojeni në enë.
  5. Shtoni bullgurin, lëngun e limonit, vajin e ullirit dhe farat e lulediellit dhe përziejini të gjitha mirë.
  6. Shtoni kripë dhe piper sipas shijes suaj dhe shijojeni.

Sallate verore me bullgur

Recetat e Mandarina në email-in tuaj

Vendosni adresën e email-it tuaj për tu regjistruar.

Lini një Përgjigje