Role vegjetariane me fleta alge – sushi të bëra në shtëpi

Share

Sushi është një gatim që e kam shumë qejf. Kombinimi i orizit me perime krokante, produkte deti dhe salcë soje është nga të preferuarit e mi. Nuk përmenda këtu wasabin apo xhinxherin pasi nuk renditen në preferencat e mia.

Kam provuar të bej sushi në shtëpi disa herë, dhe e kam shijuar shumë proçesin dhe rezultatin. Ndoshta më mirë duhet të them, kam gatuar role vegjetariane në shtëpi, pasi nuk kam ndjekur ekzaktësisht teknikën e gatimit të sushit, si dhe kam lënë pa përdorur uthullën e orizit.

Receta që po ndaj me ju është receta bazike, të cilën mund ta përshtasni sipas shijeve tuaja. Unë përdor zakonisht avokado dhe karrotë, por ju mund të përdorni fruta ose perime të tjera si kastravec, mango, apo asparag. Më pëlqen shumë të shtoj gjithashtu fara susami. Ju sugjeroj shumë të provoni të beni këto role në shtëpi, pasi do kënaqeni gjatë gjithë proçesit, dhe rezultati është thjesht fantastik, plus, nuk ju duhet të shpenzoni shumë, pasi restorantet e sushit, duhet pranuar që janë pakëz të shtrenjta.

 Përbërësit

  • 1 1/3 kupë oriz i bardhë kokërr vogël
  • 3 kupa ujë në temperaturë ambienti
  • 4 – 5 fleta nori
  • 1 avokado mesatare e pjekur e prerë në feta të holla
  • 1 karrotë e madhe e prerë në shirita
  • 2 lugë gjelle fara susami të pjekura pak (unë përdora susam të zi)
  • Salcë soje për ta shoqëruar

Shënim : 1 kupë – 1 filxhan/gotë me volum 240 ml

Përgatitja

  1. Vendosni orizin dhe ujin në një tenxhere me kapak dhe vendoseni të ziej në temeperaturë të lartë. Në momentin që ka arritur pikën e zierjes uleni temperaturën në minimum dhe lëreni të ziej deri sa orizi ta ketë thithur të gjithë ujin.
  2. Hiqeni nga zjarri tenxheren dhe lëreni kapakun pa lëvizur për rreth 15 minuta, në mënyrë që ngrohtësia të vazhdoj të gatuaj orizin.
  3. Më pas vendoseni në një enë të cekët dhe lëreni të ftohet plotësisht.
  4. Vendosni një flete nori, mbi një rrjetë bambuje që përdoret për të formuar sushit. Kujdesuni të keni pranë një enë të vogël me ujë, që do t’iu duhet për të lagur gishtat në mënyrë që orizi të mos ngjis.
  5. Ndajeni orizin në 4 ose 5 porcione.
  6. Shpërndani 1 porcion oriz mbi një fletë alge, duke u kujdesur që të lini hapësira boshe në fillim dhe në fund (pak a shumë nga 2-3 cetimetra nga secila anë).
  7. Shtoni pak susam dhe disa feta avokado dhe karrota.
  8. Lagni gishtat me ujë dhe me to prekni fundin e algës.
  9. Duke përdorur rrjeten e bambus formoni me kujdes një cilindër. Për ta patur më të thjeshtë për të krijuar cilindrat e sushit, mund të orientoheni me videon këtu.
  10. Përsëriteni këtë proçes për pjesën e mbetur të përbërësve.
  11. Vendosini cilindrat e formuar në një dërrasë që e përdorni për të prerë perimet, dhe priteni me një thike te mprehtë secilin prej cilindrave në 8-10 pjesë.
  12. Shijojeni me salcë soje.

Recetat e Mandarina në email-in tuaj

Vendosni adresën e email-it tuaj për tu regjistruar.

Lini një Përgjigje