Role me lakër të bardhë, rikota dhe ton

Share

Të gjithëve na pëlqejnë gatimet e vogla të tavolinës që mund ti shijojmë duke parë një film, një ndeshje, apo kur jemi mbledhur me miqtë.

Kur përgatis gjëra të vogla për të ngrënë, zakonisht anojnë nga e ëmbla, duke qenë se ëmbëlsirat janë pika ime e dobët. Kësaj radhe po ndaj me ju nje recetë të kripur, role me lakër të bardhë mbushur me rikota dhe ton.

Më besoni që janë fantastike, freskia e fletëve të lakrës kombinohet shkëlqyer me kremozitetin e rikotës dhe shijen e ngrohtë të tonit. Shtova gjithashtu dhe pak lëng limoni për pak më shumë freski dhe ca fara luledielli për ta bërë pak krokante mbushjen. Këto role shkojnë shumë me një gotë verë të bardhë dhe sigurisht miq e filma të mirë.

Përbërësit

Për 12-15 role

  • 12-15 fletë lakre të bardhë (zgjidhni një lakër të mesme në të vogël me gjethe të holla)
  • 250 g rikota
  • 200 g peshk ton të konservuar (të ruajtur në ujë ose vaj)
  • 1 lugë gjelle (tbs) lëng limoni
  • 2-3 lugë gjelle (tbs) fara luledielli
  • Pak kripë
  • Pak piper

Përgatitja

  1. Lani dhe thani gjethet e lakrës, duke i hequr pjesën e fortë.
  2. Hapni konservën e tonit dhe derdhni vajin apo ujin që është përdorur në konservë, duke ruajtur vetëm pjesën e mishit të peshkut.
  3. Në një enë mesatare miksoni rikotën me tonin, lëngun e limonit, kripë, piper dhe farat e lulediellit.
  4. Shtoni masën e përgatitur në gjethet e lakrës dhe palosini me kujdes.
  5. Përdorni kunja druri për ti mbajtur të mbyllura nëse është e nevojshme.

Kremin e formuar mund ta përdorni edhe për brusketa apo sanduiçe, e pse jo si salcë për pasta.

Ju bëftë mirë.

Recetat e Mandarina në email-in tuaj

Vendosni adresën e email-it tuaj për tu regjistruar.

Lini një Përgjigje