Rizoto me kërpudha

Share

Rizoto me kërpudha është një nga pjatat e mia të preferuara. Kombinimi i orizit gatuar në mënyrë kremoze me kërpudhat e tiganisuara është magjik.

Duke qenë se pjata ka përbërës shumë të thjeshtë, ata duhet të jenë të gjithë shumë cilësor, që të marrim një pjatë me shije fantastike në fund.

Për një shije edhe më interesante mua më pëlqen të shtoj pak rozmarin te kërpudhat. Nëse ju pëlqen rozmarina ju sugjeroj ta provoni dhe ju, në të kundërt mund të shtoni erza të tjera që ju pëlqejnë.

Përbërësit

Për 4 persona
Për rizoton

  • 1 & ¾  kupë oriz për rizoto
  • 1 qepë e vogël
  • 4 kupa lëng perimesh ose lëng pule i ngrohtë
  • 60 g gjalp
  • 1 lugë gjelle (tbs) vaj ulliri
  • ½ kupë djath kaçkavall i grirë
  • ½ kupë verë e bardhë
  • Kripë
  • Piper
  • Pakëz arrë moskati e freskët e grirë

Për kërpudhat

  • 500 g kërpudha ( zakonisht përdor kërpudha Portobello duke qenë se mund të gjenden më lehtë)
  • 1-2 degë rozmarinë e freskët
  • 1 lugë gjelle (tbs)  vaj ulliri
  • 1 tufë majdanoz (opsionale)
  • Kripë
  • Piper

Shënim : 1 kupë – 1 filxhan/gotë me volum 240 ml

Përgatitja

Kërpudhat

  1. Pastroni kërpudhat me një leckë të pastër të njomur me pak ujë dhe më pas pritini në copa të mëdha.
  2. Vendosni një tigan të madh në zjarr të lartë dhe shtoni vajin e ullirit.
  3. Pasi vaji është nxehur shtoni kërpudhat dhe rozmarinën dhe lërini të gatuhen për rreth 10-15 minuta në zjarr të lartë.
  4. Në mes të kohës së gatimit shtoni kripë dhe piper.
  5. Pasi kërpudhat janë gatuar i heqim nga zjarri dhe i shtojmë majdanozin e grirë, nëse dëshirojmë.

Rizoto

  1. Grijmë qepën imët dhe e lëmë mënjanë.
  2. Në një tigan të madh që nuk ngjit shtojmë vajin e ullirit .
  3. E lëmë të ngrohet në temperaturë mesatare dhe më pas shtojmë qepën.
  4. E kavërdisim qepën për 10-15 minuta në temperaturë të ulët, duke patur kujdes të mos errësohet.
  5. Ngremë temperaturën e sobes dhe shtojmë orizin dhe e kavërdisim për pak sekonda.
  6. Më pas shtojmë verën duke e trazuar vazhdimisht deri sa të ketë avulluar e gjitha.
  7. Ulim temperaturën dhe shtojmë pak nga pak lëngun te orizi duke e trazuar vazhdimisht në mënyrë që orizi të lëshojë amidonin e masa të bëhet kremoze.
  8. E vazhdojmë këtë proçes deri sa orizi ta ketë marrë pothuajse të gjithë lëngun e të jetë bërë kremoz.
  9. I gjithë proçesi zgjat rreth 30 minuta.
  10. 5 minuta para përfundimit shtojmë kripë, piper, gjalpin dhe kërpudhat dhe e përziejmë mirë.
  11. E heqim nga zjarri dhe në fund shtojmë djathin e grirë duke e trazuar vazhdimisht në mënyrë që djathi të shkrijë e përbërja të bëhet edhe më kremoze.
  12. Shijojeni rizoton të ngrohtë.

Recetat e Mandarina në email-in tuaj

Vendosni adresën e email-it tuaj për tu regjistruar.

Lini një Përgjigje