Reçel i shëndetshëm me luleshtrydhe dhe fara çia, gati në pak minuta

Share

Recel luleshtrydheje i shendetshemUnë e kam shumë qef reçelin. Për shumë vite, deri sa zbulova magjinë e tërshërës mëngjeset e mia ishin bukë me gjalp dhe reçel, shoqëruar me një gotë qumësht.

Sa më shumë rritemi, aq më të kujdesshëm bëhemi për shëndetin, e duke qenë se sheqeri është një nga përbërësit më të dëmshëm fillova të kërkoja forma alternative të përgatitjes së reçelit. Të kuptohemi drejt, vazhdoj ta kem shumë qef reçelin tradicional dhe e konsumoj herë pas here, por jam shumë e lumtur që kam gjetur edhe një version më të shëndetshëm. Pasi kërkova shumë në internet e shkëmbeva biseda me persona që pëlqejnë të eksperimentojnë me gatimin sikurse unë, arrita te kjo recetë për përgatitjen e këtij reçeli me fara çia. Çia ka aftësinë që të përthithi lëngjet dhe të kthej përmbajtje të lëngshme në xhelatinoze, kështu që është shumë e thjeshtë që të transformojmë disa kupa fruta në reçel fantastik të ëmbëlsuar në mënyrë natyrale, në pak minuta. Pra, çia jo vetëm është përbërësi magjik për puding të shëndetshëm, por edhe për reçel të shëndetshëm.

Përgatitja e reçelit me fara çia është shumë e thjeshtë, ju thjesht ju duhet të bluani disa kupa me fruta në blender, të shtoni shurup panje ose mjaltë si dhe përbërësin magjik, farat e çias. Pas pak orëve farat çia do të thithin lëngjet e lëshuara nga frutat dhe do krijojnë një përbërje me konsistencën e reçelit.

Reçelin me fara çia unë e përgatis në dy mënyra, të gatuar dhe të pagatuar, të cilat po i ndaj më poshtë me ju.

Versioni i pagatuar është më i thjeshtë, dhe ka shije më të fortë të frutave të freskëta, ndërsa versioni i gatuar ka shijë shumë të ngjashme me reçelin tradicional.

Raportet që përdor për të përgatitur këtë reçel janë gjithmonë 1 kupë pure frutash me 1 lugë gjelle fara çia. Ju mund ti përshtasni këto raporte në varësi të konsistencës që preferoni. Nëse e doni reçelin pak më të lëngshëm mund ta ulni pak sasinë e farave, kurse nëse e doni më të mpiksur mund të shtoni pak sasinë e farave çia.

Për të përgatitur këtë reçel zgjodha luleshtrydhet, duke qenë se janë në sezon dhe unë personalisht i kam shumë qef, por ju mund të zgjidhni mes shumë frutave si manaferrave, boroninca, mjedra etj.

Recel me luleshtrydhe dhe fara cia

Reçel me luleshtyrdhe dhe fara çia – versioni i pagatuar

Përbërësit

Për 1 kupë reçel

  • 1 & 1/2 kupë luleshtrydhe
  • 1 lugë gjelle fara çia
  • 1-2 lugë gjelle mjalt ose shurup panje
  • 1 lugë çaji lëng i freskët limoni

Shënim : 1 kupë – 1 filxhan/gotë me volum 240 ml

Përgatitja

Sikurse ju shpjegova më sipër unë përdor gjithmonë raportet 1 kupë fruta me 1 lugë gjelle fara çia. Ju mund të shtoni më shumë fara çia nëse e preferoni më të mpiksur reçelin.

  1. Bluani gjithë përbërësit bashkë përveç farave çia.
  2. Shtoni farat dhe përziejeni mirë përbërjen.
  3. Lëreni të qëndroj në frigorifer për gjatë gjithë natës.

Ditën tjetër do të keni gati një reçel super të shijshëm e të shëndetshëm, gati për ta vendosur mbi tost, kos, apo për t’ia shtuar tërshërës që po konsumoni për mëngjes.

Këtë reçel mund ta ruani në një enë hermetike në frigorifer për maksimumi 3 ditë.

Reçel me luleshtrydhe dhe fara çia – versioni i gatuar

Për 1 kupë reçel

  • 1 & 1/2 kupë luleshtrydhe
  • 1 lugë gjelle fara çia
  • 1-2 lugë gjelle mjalt ose shurup panje
  • 1 lugë çaji lëng i freskët limoni

Shënim : 1 kupë – 1 filxhan/gotë me volum 240 ml

Përgatitja

Sikurse ju shpjegova më sipër unë përdor gjithmonë raportet 1 kupë fruta me 1 lugë gjelle fara çia. Ju mund të shtoni më shumë fara çia nëse e preferoni më të mpiksur reçelin.

  1. Prisni luleshtrydhet dhe shtoni lëngun e limonit dhe mjaltin ose shurupin e panjës. Vendosini të gatuhen në temperaturë të ulët.
  2. Gatuajini deri sa luleshtrydhet të zbuten e të lëshojnë lëngun e tyre 5-10 min.
  3. Shtypini frutat me një lugë druri ose nëse e preferoni reçelin në formë homogjene  bluajeni ne blender.
  4. Shtoni faturat dhe përziejeni mirë.
  5. Hidheni përbërjen në nje kavanoz të pastër dhe pasi është ftohur ruajeni në frigorifer.

Ditën tjetër do të keni gati një reçel super të shijshëm e të shëndetshëm. Mund ta shijoni mbi tost, kos, apo për t’ia shtuar tërshërës që po konsumoni për mëngjes.

Këtë reçel mund ta ruani në një enë hermetike në frigorifer për maksimumi 7 ditë.

Recetat e Mandarina në email-in tuaj

Vendosni adresën e email-it tuaj për tu regjistruar.

Lini një Përgjigje