Pasi kalova 2 fundjava në Përmet, dhe shijova gjithë glikotë dhe reçelerat fantastik që ata përgatisin, duhej patjetër të provoja ti gatuaja vet. Reçeli i portokallit, është nga të preferuarit e mi, e për më tepër, nuk e kisha gatuar ndonjëherë, kështu që vendosa të eksperimentoja me të. Përfundova duke miksuar 2-3 receta që më dhanë zonjat që takova në Përmet. Rezultati është ky reçel fantastik, me ngjyrë të artë.
Duke qënë se portokalli ka lëkurë disi të hidhur, do pak më shumë kujdes, e një teknikë pak më të komplikuar se reçelërat e tjerë. Pa dashur t’iu tremb, thjesht do iu duhet të zieni portokallet në ujë për 5-10 minuta, disa herë. Pastaj shtoni pak ujë e sheqer e i lini të ziejnë së bashku. Portokalli është shumë aromatik, kështu që nuk shtova erëza të tjera, por besoj që pak karafil ose kanellë do ti shkonte shumë. E bukura e reçelit të përgatitur në shtëpi është që mund ti paketoni bukur e t’ia dhuroni miqve, sidomos tani në prag festash.
Reçel portokallesh
Prep
Cook
Inactive
Total
Ingredients
Përbërësit
- 1 kg portokalle
- 750 g sheqer
- 2 kupa(480 ml) ujë
Instructions
Përgatitja
- Me një rende grini pakëz lëkurën e portokallit.
- Vendosini portokallet e plota në një tas të madh, e mbulojini me ujë. Lërini të qëndrojnë kështu përgjatë gjithë natës.
- Ditën tjetër, mbushni një tenxhere të madhe me ujë e vendoseni të vlojë.
- Kur arrin pikën e vlimit, shtoni portokallet dhe lërini të ziejnë për 5-10 min.
- Derdheni ujin, shpëlajini portokallet me ujë të ftohtë dhe lërini mënjanë.
- Vendoseni sërisht tenxheren me ujë të ziej, e kur arrin pikën e vlimit shtoni portokallet e lërini të ziejnë për 5-10 minuta.
- Përsëriteni këtë process 4-5 herë.
- Në fund lërini portokallet të ftohen disi e pritini në feta.
- Shtoni sheqerin dhe ujin, e vendosini të ziejnë së bashku.
- Kur të arrij pikën e zierjes, uleni temperaturën dhe lëreni të gatuhet avash për rreth 30-40 min, ose deri sa shurupi të filloj të trashet.
- Kujdesuni që të largoni shkumën që formohet gjatë zierjes.
- Ndajeni reçelin në kavanoza të sterilizuar e ruajeni deri në një vit.
Lini një Përgjigje