Ka pak kohë që kam filluar të eksperimentoj me qumështin me bazë bimore. I pari që kam provuar ishte qumështi i tërshërës, që kishte një rezultat fantastik, sidomos i ngrohur pak me kakao dhe shurup panje.
Pas tij, eksperimentova dhe me qumështin e bajameve. Rezultati ishte thjesht “uau”. Më pëlqen çdo gjë te ky qumësht, shija, konsistenca, aroma. Qumështi i bajames mund të përdoret në smoothie, kafe, për të përgatitur qumështin e artë me tumerik, aq të famshëm për vetitë e tij antiinflamatore, për të përgatitur kakao, e shumë të tjera, pak a shumë si qumështi me bazë shtazore.
Përgatitja e qumështit të bajames në shtëpi është shumë e thjeshtë. Mjafton të lini bajamet të zbuten në ujë për 1 natë, të ndërroni ujin e të shtoni ujë të freskët dhe ti kaloni në blender për pak minuta. Lëngu i kulluar nga përbërja është qumështi i bajames. Mund ta pasuroni shijen duke shtuar erëza si kanellë, apo vanilje, ose ta ëmbëlsoni pak me mjaltë apo shurup panje. Mua personalisht më pëlqen versioni i pastër, ku ajo që dominon është shija e bajames.
Shijon shkëlqyer shoqëruar me biskotat me tërshërë dhe arra, mini-kekë me boronicë dhe mund të përdoret si zëvendësues i qumështit të zakonshëm kur përgatisni tërshërë që e lini gjatë gjithë natës në frigorifer.
Përbërësit
Për rreth 3 kupa qumësht bajamesh
- 1 kupë bajame, idealisht të rritura në kushte organike
- 5 kupa ujë (2 për të lënë bajamet në ujë dhe 3 për ta përdorur për qumështin)
- Pakëz kripë
Shënim : 1 kupë – 1 filxhan/gotë me volum 240 ml
Përgatitja
- Lërini bajamet zhytur në 2 kupa ujë për gjatë gjithë natës në frigorifer.
- Kullojeni ujin dhe shpëlajini dhe një herë me ujë të pastër.
- Hidhini në blender, shtoni tre kupa ujë dhe pakëz kripë.
- Bluajini për 1-2 min, në shpejtësi maksimale, deri sa bajamet të jenë grirë plotësisht.
- Kullojeni lëngun duke përdorur një napë, ose si në rastin tim sitën e miellit, duke u munduar të merrni sa më shumë lëng, pra ta kulloni sa më mirë.
- Lëngu i përftuar është pikërisht qumështi i bajames, i cili mund të ruhet në një shishe qelqi të mbyllur hermetikisht deri në 2 ditë në frigorifer.
Brumin/pulpën që mbetet mund ta përdorni në forma nga më të ndryshmet, ta shtoni në tërshëren e mëngjesit, ta shtoni në smoothie, ta shtoni në brumin e kekut apo biskotave që do gatuani apo ta përdorni në salcën e makaronave. Herën e fundit që bëra qumësht bajamesh thjesht i shtova pak mjalt dhe e konsumova direkt. Ishte fantastike.
Lini një Përgjigje