Qofte vegjetariane me fasule

Share

Fasulet e zeza janë një thesar i vërtetë, duke qenë se përmbajnë proteina, fibra dhe minerale. Përmbajtja e lartë e proteinave i bën shumë popullore në dietat vegjetariane, ku mungesa e mishit e bën marrjen e proteinave disi më të vështirë.

Një nga gatimet e mia të preferuara me fasulet e zeza janë “qoftet me fasule”. Qoftet me fasule kanë një shije dhe teksturë fantastike, të buta brenda e krokante jashtë.

Qoftet me fasule përgatiten shumë thjeshtë dhe shkojnë shumë shoqëruar me tarator, salcë kosi apo thjesht një sallatë. Sigurisht që janë fantastike edhe në formën e vet tradicionale, në mes të një simiteje të butë shoqëruar me domate, sallatë jeshile, salcë dhe djathë.

Më poshtë po ndaj me ju disa detaje dhe sugjerime në lidhje me recetën :

  • Qoftet me fasule unë i preferoj me shumë erëza, ndaj lista e erëzave mund t’iu duket disi e gjatë, por ju mund ti përdorni të gjitha ose të zgjidhni mes tyre. Madje mund të shkoni dhe me versionin bazik thjesht me kripë dhe piper, se prapë janë shumë të mira.
  • Mua më pëlqen të gatuaj nga bazat, sepse kështu kam nën kontroll përbërësit, kështu që pothuajse gjithmonë zgjedh të përdor fasule të zeza të pagatuara dhe ti gatuaj vet. Në rast se nuk keni kohë mund të zgjidhni të përdorni fasule të konservuara, pasi nuk ka ndonjë ndryshim në shije.
  • Qoftet me fasule unë i preferoj me fasule të zeza, por në mungesë mund të përdorni fasule të bardha pasi edhe ato i përshtaten shumë mirë recetës.
  • Si person i dashuruar me farat e të gjitha llojeve, mua më pëlqen të shtoj fara luledielli te qoftet me fasule, por edhe nëse nuk ia hidhni, prapë mbeten shumë të mira.

Uroj t’iu kem tunduar ti provoni dhe do doja shumë të dëgjoja përshtypjet tuaja mbi recetën.

Përbërësit

Për 4-6 persona

  • 1 & ¼ kupë fasule të pagatuara (ose 2 kupa fasule të gatuara)
  • Ujë për të gatuar fasulet , nëse po përdorni fasule të pagatuara
  • 2/3 kupë bukë e tharë e thërrmuar
  • 1/4 kupë fara luledielli (opsionale)
  • 1/2 kupë djathë kaçkavall i grirë
  • 4 lugë gjelle (tbs) vaj ulliri
  • 2 vezë mesatare
  • 2 lugë gjelle (tbs) lëng limoni i freskët
  • 1/4 kupë kos
  • Një qepë e vogël
  • Një karrotë e vogël
  • 1 tufë majdanoz
  • 1 tufë kopër
  • Kripë
  • Piper
  • 1 lugë çaji (tsp) piper i kuq jo pikant (opsionale)
  • 1 lugë çaji (tsp) rigon i tharë  (opsionale)
  • ½ lugë çaji (tsp) pluhur kumin  (opsionale)
  • ½ lugë çaji (tsp) hudhër e tharë pluhur  (opsionale)
  • Vaj ulliri për të gatuar qoftet

Shënim : 1 kupë – 1 filxhan/gotë me volum 240 ml

Përgatitja

Nëse po përdorni fasule të pagatuara, atëherë ndiqni hapat 1-3, nëse po përdorni fasule të konservuara kaloni direkt në hapin 4.

  1. Vendosini fasulet e zeza në ujë dhe lërini të qëndrojnë përgjatë gjithë natës.
  2. Derdhni ujin në të cilin kanë qëndruar gjatë gjithë natës, shtoni ujë dhe vendosini të ziejnë deri sa të zbuten (të miat u zien për rreth 1 orë).
  3. Kulloni ujin dhe lërini fasulet mënjanë. Këto hapa mund ti bëni edhe 1-2 ditë përpara.
  4. Qëroni dhe prisni në pjesë shumë të vogla qepën dhe karrotën.
  5. Kavërdisni qepën për disa minuta deri sa të zbutet.
  6. Shtoni karrotën dhe lëreni dhe 3-4 minuta.
  7. Vendosni të gjithë përbërësit në një proçesor ushqimor dhe bluajni për pak minuta deri sa përbërja të filloj të bëhet si brum ngjitës, por ende të mund të dalloni disa fasule të pa copëtuara.
  8. Formoni qoftet, në formë rrethore me trashësi 1-2 cm dhe vendosini në frigorifer për rreth 30 minuta. Vendosja në frigorifer nuk është e domosdoshme, pra mund të bëni dhe pa të, thjesht iu ndihmon që qoftet ta ruajnë pak më mirë formën gjatë pjekjes.
  9. Nxehni pak vaj ulliri në një tigan të madh, në zjarr mesatar – të lartë dhe piqini rreth 4-5 minuta nga çdo anë.
  10. Shijojini të ngrohta me një sallate, apo tarator, ose në formë sanduiçi si në foto.

Recetat e Mandarina në email-in tuaj

Vendosni adresën e email-it tuaj për tu regjistruar.

Lini një Përgjigje