Pesto me spinaq, mente dhe stika

Pesto me spinaq dhe mente

Iu kam treguar tashmë sa shumë më pëlqen salca Pesto, dhe sa e thjeshtë është të përgatitet në shtëpi. Gjihtmonë përgatis sasi të mëdha dhe i ruaj në ngrirje për muaj me rradhë. Duke qenë se sezoni i borzilokut ka mbaruar, dhe ndërkohë unë e mbarova të gjithë peston që kisha përgatitur më duhej të krijoja një salcë po aq të mirë dhe të shëndetshme për ta zëvendësuar, e cila bëhet me produktet e stinës.

Pas disa eksperimenteve, arrita në këtë recetë, pesto me spinaq, mente dhe stika. Receta prodhon nje sasi të madhe pestoje. Ka mjaftueshëm për ta konsumuar në moment, për ta ndarë me miqtë dhe për ta ruajtur në ngrirje në porcione individuale.

PS. Nëse doni të mësoni recetën e pestos me borzilok klikoni këtu.

Pesto me spinaq dhe mente

Përbërësit

  • 500 g spinaq
  • 1 kupë gjethe menteje
  • 2 tufa majdanoz
  • 2/3 kupë stika të qëruara
  • 2/3 kupë fara kungulli të qëruara
  • 2/3 kupë vaj ulliri
  • 200 g djathë kaçkavall
  • Lëngu i një limoni mesatar
  • Kripë
  • Piper

Shënim : 1 kupë – 1 filxhan/gotë me volum 240 ml

Përgatitja

  1. Pastroni spinaqin dhe ruani vetëm gjethet.
  2. Pastroni menten dhe majdanozin, ruani vetëm gjethet dhe lërini mënjanë.
  3. Grini në rende djathin kaçkavall dhe lëreni mënjanë.
  4. Vendosni të gjithë përbërësit, përveç djathit, kripës e piperit në proçesuesin e ushqimeve dhe grijini. Nëse proçesuesi juaj nuk është mjaftueshëm i madh bëjeni proçesin me pjesë, duke i vendosur përbërësit pjesë-pjesë për tu grirë.
  5. Vendoseni gjithë përbërjen në një enë të madhe qelqi dhe shtoni djathin e grirë, kripën dhe piperin e përziejeni mirë.

Mund të mbani një pjese të salcës në frigorifer, në një enë të mbyllur hermetikisht për 4-5 ditë, dhe pjesën tjetër ta ruani në ngrirje në porcione individuale.

Për të përgatitur pastat me pesto, mjafton të gatuani makaronat, sipas instruksioneve të paketës. Më pas kullojini dhe shtoni salcën e pestos e trazojini mirë. Mund të përdorni 2-3 lugë gjelle salcë për cdo porcion pastash, në varësi të preferencave tuaja.

Ju bëftë mirë 🙂

Pesto me spinaq dhe mente

Recetat e Mandarina në email-in tuaj

Vendosni adresën e email-it tuaj për tu regjistruar.

Lini një Përgjigje