Pasta shu të bëra në shtëpi

EclairesNë shtëpinë time të gjithë vdesim për Ekler, ose siç i quajmë ne pasta shu, kështu që duhet ta provoja këtë recetë patjetër.

Do pak kohe të përgatitet por është shumë e thjesht, kështu që mos hezitoni ta provoni.

Koha e përgatitjes : 1 orë e 40 min

Përbërësit

Për 10-12 pasta shu të mëdha ose 20-25 të vogla

Përbërësit për brumin shu :

  • 100 g gjalpë
  • Pak kripë
  • 2 lugë çaji (tsp) sheqer
  • 1 e 1/4 miell
  • 1 kupë ujë
  • 4 vezë

Përbërësit për kremin e pastiçerisë

  • 1/2 litër qumësht (mund të zëvendësoni gjysmën e qumështit me krem qumështi, për ta bërë super kremoz, edhe pse me ca kalori më shume kremin e pastiçerisë)
  • 4 të verdha veze
  • 1/2 kupë sheqer
  • 30 g miell
  • 20 g niseshte
  • 1 lugë çaji (tsp) sheqer me vanilje, ose ekstrakt vanilje

 Përbërësit për kremin e çokollatës

  • 150 g çokollatë
  • 75 ml krem qumështi (pana jo e ëmbël)

 Përgatitja

Në fillim përgatisim brumin, më pas kremin e pastiçerisë dhe kremin e çokollatës.

Vendosim në zjarr mesatar ujin me gjalpin dhe i lëmë të ngrohen deri sa gjalpi të jetë shkrirë plotësisht. Shtojmë miellin, kripen dhe sheqerin dhe i trazojmë mirë.

E heqim enën nga zjarri dhe e hedhim masën e formuar ëe një ene qelqi.

E lëmë të ftohet pak dhe shtojmë vezët një e nga një duke e trazuar mire përbërjen çdo herë.

Me ndihmën e një qeseje pastiçerie shpërndajmë brumin në tepsi në formë gjatësore ose rrumbullake, sipas dëshirës.

Pjekja bëhet në furrë të parangrohur në temperaturë 220 gradë për 10 minutat e para, e në 180 gradë për 30 minutat në vazhdim.

Ndërkohë që pastat piqen përgatisim kremin e pastiçerisë.

Vendosim qumështin të ngrohet. Ndërkohë në një enë trazojmë sheqerin me të verdhat e vezëve, miellin dhe niseshtenë.

Në momentin që qumështi është ngrohur marrim pak qumësht dhe e hedhim te përzierja e vezëve, sheqerit, miellit dhe niseshtesë në mënyrë që ti ngrohi pak. Përzierjen e hedhim ngadalë dhe duke e trazuar vazhdimisht te qumështi i ngrohur. E lëmë përzierjen pak minuta në zjarr deri sa të trashet mirë, e më pas e kalojmë në një enë qelqi mbuluar me një letër celofani, në mënyrë që kremi të mos ngurtësohet sipër (të zërë cipë).

Ndërkohë përgatisim edhe kremin e çokollatës (chocolate ganache).

Në zjarr të avashtë trazojmë çokollatën me kremin e qumështit dhe i lëmë deri sa çokollata të jetë shkrirë plotësisht.

I trazojmë vazhdimisht deri sa përzierja të jetë homogjene dhe e shkëlqyeshme. Edhe këtë përbërje e kalojmë në një enë qelqi.

Pasi brumi është pjekur, i heqim pastat nga furra dhe i vendosim të ftohen.

Në momentin që janë ftohur plotësisht i presim në mes me thikë të gjitha. Kalojmë kremin e pastiçerisë në një qese pastiçerie dhe mbushim të gjitha pastat.

Më pas me ndihmën e një spatule i lyejmë me kremin e çokollatës. Sigurohemi që pastat janë në temperaturë ambienti, i vendosim në një enë hermetike e i lëmë për disa orë në frigorifer.

Njam, njam 🙂

fullsizerender8

 

Lini një Përgjigje