Pasta me kakao shoqëruar me dardhë të karamelizuar dhe arra

Cocoa pasta with caramelised pears and walnutsMendoja se nuk isha e dashuruar me pastat, patjetër që më pëlqenin, po nuk më shkonte mendja shpesh për to. Kjo deri sa zbulova Luga e Argjendtë, një punishte të vogël, ku përgatiten pasta të freskëta në mënyrë artizanale. Tani ëndërroj për pasta gjithë kohës. Të preferuarat e mia janë pastat me kakao.

Pastat me kakao në fakt janë pasta të zakonshme që kanë në perberje edhe kakao. Me siguri kur dëgjoni “kakao” mendoni se pastat janë të ëmbla, por jo. Këto pasta nuk kanë sheqer në përbërjën e tyre, kështu që nuk janë të ëmbla sikurse mund të mendoni. Shija e pastave me kakao është vërtetë interesante. Në momentin që gatuhet ka një aromë të fortë çokollate, por shija e çokollatës është shumë e lehtë.

Pastat me kakao kombinohen shkëlqyer me dardhë të karamelizuar dhe arra të pjekura pak. Mos harroni të shtoni pak kanellë dhe arrë moskati dhe do të keni një super pjatë.

Koha : 20 min

Përbërësit :

Për 4 persona

  • 400 g pasta me kakao
  • 3 dardha mesatare
  • ½ kup arra të qëruara
  • 60 g gjalp
  • Djathë kaçkavall
  • Kanellë
  • Arrë moskati
  • Kripë
  • Piper

Përgatitja

  1. Qëroni dhe prisni dardhët në kubik të vegjël.
  2. Në një tigan të madh piqni pak arrat, për 3-4 min, dhe zhvendosini në një pjatë të ftohen.
  3. Në të njëjtin tigan shkrini gjalpin dhe shtoni kubikët e dardhës dhe gatuajini për rreth 10 min, duke i trazuar shpesh.
  4. Ndërkohë, vendosni ujin të zihet për pastat dhe në momentin e vlimit shtoni kripën dhe pastat. Unë përdor pasta të freskëta dhe i lë të gatuhen vetëm 2 minuta. Nëse po përdorni pasta të thata gatuajini sipas instruksioneve të paketës.
  5. Kullojini pastat dhe ruani 1-2 lugë gjelle nga uji i tyre. Shtoni pastat në tigan te dardhet e karamelizuara, shtoni gjithashtu dhe ujin e pastave dhe arrat.
  6. Në fund shtoni pak kanellë, arrë moskati dhe piper dhe nëse deshironi dhe pak djathë kaçkavall të prerë në feta të holla.

Ju bëftë mirë 🙂

Cocoa pasta with caramelised pears and walnuts'

Recetat e Mandarina në email-in tuaj

Vendosni adresën e email-it tuaj për tu regjistruar.

Lini një Përgjigje