Pasta integrale me tahini dhe perime

Pasta me tahini dhe perimeNjë nga gjërat që më pëlqen më shumë te pastat është fakti që mund të kombinohen në mënyra nga më të ndryshmet dhe përgatiten shumë shpejt.

Pastat e mia të preferuara për momentin janë pastat integrale me salcë tahini dhe perime. Më pëlqen shumë si kombinohen tekstura kremoze e tahinit me atë të pastave integrale e perimeve. Nëse dëshironi mund të shtoni edhe një fileto pule të prerë në kubik.

Përbërësit

Për 2 persona 

  • 1 kungull (kungulleshkë) mesatar
  • 1 karrotë mesatare
  • 1 lugë gjelle (tbs) susam i zi
  • 1 lugë gjelle (tbs) salcë soje
  • 2 lugë gjelle (tbs) tahini (gjalp susami)
  • Pak vaj ulliri për të kavërdisur perimet
  • Majdanoz të grirë hollë sipas dëshirës
  • Kripë dhe piper
  • Spaghetti (ose çfarëdo lloj tjetër paste) integrale për 2 persona

Pasta me tahini dhe perime

 Përgatitja

Për një darkë më të shpejtë, idealisht duhet të përgatisim paralelisht pastat dhe salcën.

Pastrojmë dhe presim në kubik perimet e i lëmë mënjanë.

Vendosim një tigan në temperaturë të lartë dhe hedhim pak vaj ulliri.
Në momentin që vaji është nxehur, i kavërdisim perimet për rreth 4-5 minuta. Shtojmë salcën e sojës dhe e lëmë përbërjen në zjarr edhe për 1 minutë më tepër.

Marrim 2 lugë gjelle (tbs) ujë nga pastat që janë duke u përgatitur, dhe ia shtojmë tahinit dhe e trazojmë mirë. Më pas këtë përbërje e shtojmë mbi perimet. E kontrollojmë nëse ka nevojë për kripë.

Në momentin që pastat janë gati i bashkojmë me salcën me tahini dhe perime që kemi përgatitur.

Në fund shtojmë farat e susamit, majdanozin e grire dhe pak piper.

Shpejt, thjesht, shëndetshem, shijshëm 🙂

Pasta me tahini dhe perime

Recetat e Mandarina në email-in tuaj

Vendosni adresën e email-it tuaj për tu regjistruar.

Lini një Përgjigje