Mini-kekë me miell bajamesh

Kjo recetë ishte totalisht aksidentale, nga ato aksidentet e këndshme në kuzhine, të cilat i kthejmë në histori për t’ia treguar miqve.

Teksa po bëja pazar në sektorin e frutave të thata, bleva bajame me ulje cmimi, të cilat rezultuan të mos ishin shumë të mira. Nuk ishin mjaftueshëm të freskëta, kështu që duhet ti përdorja menjëherë, I kalova në furrë për rreth 10 minuta, në mënyrë që pjekja të mbulonte pak mungesën e freskisë, i lashë të ftohen e më pas i kalova në blender, për të përgatitur miell bajamesh. Ishte hera e parë që përgatisja miell bajamesh, e u surprizova sa e thjeshtë ishte ta përgatisje në shtëpi.

Pasi përgatita miellin, isha e paqartë për cfarë ta përdorja, a thua se nuk ka plot receta. E vetmja gjë që dija me siguri, ishte që doja të ishte një gatim i shëndetshëm, e kështu arrita te kjo recetë, që në fakt është shumë e ngjashme nga përbërja me receten time për macaroons, apo siç i quaj ndryshe biskota me arrë kokosi, recetën e të cilave e gjeni këtu.

Pra, për të përgatitur këtë recetë ju duhen thjesht bajame, të bardha vezësh, mjalt dhe fryrës për ëmbëlsira. Unë i shtoj edhe pak ekstrakt bajamesh për më shumë shije, por kjo është totalisht opsionale.

Përbërësit

Për rreth 15 mini-kekë

  • 1 & 2/3 kupë bajame ose miell bajamesh
  • ½ kupë mjalt
  • 3 të bardha vezësh
  • 1 lugë çaji (tsp) fryrës për ëmbëlsira (baking powder)
  • Pak ekstrakt bajameje

Shënim : 1 kupë – 1 filxhan/gotë me volum 240 ml

Përgatitja

  1. Filloni me pjekjen e bajameve në furrë për rreth 10 min. Ky hap nuk është i domosdoshëm, gjithësesi iu sugjeroj të mos e kaloni, pasi pjekja e thekson shijen e bajameve
  2. Lërini të ftohen plotësisht dhe vendosini në një blender, ose proçesor ushqimor për ti grirë.
  3. Pasi keni përftuar miellin e bajameve, hidheni në një tas të madh dhe shtoni fryrësin për ëmbëlsira, e trazojeni mirë.
  4. Shtoni të bardhat e vezëve, mjaltin dhe pak ekstrakt bajameje (2-3 pika).
  5. Përziejeni mirë përbërjen dhe ndajeni brumin në format për mini-kekë (versioni i vogël, forma të vogla për mufins), të cilat i keni lyer paraprakisht me pak gjalp.
  6. Piqini në furrë të parangrohur në 160 gradë Celsius për rreth 12-16 minuta.
  7. Në vend të formave të vogla mund të përdorni edhe forma standarte mini-kekësh, por këto mund të kërkojnë pak më shumë kohë për tu pjekur.

Voila 🙂 Ja ku keni një mini-ëmbëlsirë të shkëlqyer, të pasur me proteina bimore, yndyrna të mira dhe të ëmbëlsuar vetëm me sheqer natyral. Për më tepër, mini-kekët me miell bajamesh janë edhe pa gluten, për të gjithë ata që vuajnë nga alergjia nga gluteni, apo thjesht duan ta shmangin atë.

Recetat e Mandarina në email-in tuaj

Vendosni adresën e email-it tuaj për tu regjistruar.

 

Lini një Përgjigje