Mini-kekë me copëza çokollate

I kam shumë qef recetat e thjeshta që të japin mundësinë ti përziesh të gjithë përbërësit shpejt e shpejt, e të japin rezultat të shkëlqyer pa lodhje. Pikërisht këto receta ti bëjnë ditet e ngarkuara më të lehta, e familjen që mezi pret se çfarë do gatuash më të lumtur. Receta klasike e mini-kekëve me copëza çokollate është një nga këto.

Zakonisht i gatuaj në fundjave dhe i konsumoj gjatë javës në mëngjes (janë nga ato javët kur vendos të llastoj veten , e nuk e vras mendjen për të ushqyerin shëndetshëm :P), ose i sjell të gjitha në zyrë e kolegët më bëjnë me faj që i prisha dietën.

Mini-kekët e mi me çokollatë janë shumë të butë e të shkrifët brenda, dhe të pjekur në ngjyrë të artë e krokant në sipërfaqe. Më shumë se çdo herë më pëlqejnë të ngrohtë, të sapo dal nga furra, sidomos në dimër.

Nëse i keni shumë qef mini-kekët sikurse unë mund të provoni të gatuani “Mini-kekë të shëndetshëm me bajame”, “Mini-kekë me karrota dhe krem maskarpone me mjalt“, “Mini-kekë me boronica dhe tërshërë“, ose “Mini-kekë me çokollatë të bardhë, arrë kokosi dhe luleshtrydhe“.

Koha e përgatitjes – 30 min

Përbërësit

Për 12 mini-kekë

  • 2 kupa miell për çdo përdorim
  • 2 vezë
  • 2 lugë çaji (tsp) fryrës për kekë (baking powder)
  • 1 kupë sheqer
  • 150 gr gjalp
  • 1 lugë çaji ekstrakt vanilje
  • 3/4 kupë qumësht
  • Pak kripë
  • 3/4 kupë çokollatë e copëzuar

Shënim : 1 kupë – 1 filxhan/gotë me volum 240 ml

Përgatitja

Në një enë përziejmë bashkë miellin, fryrësin e ëmbëlsirave dhe kripën.

Në një enë tjetër rrahim gjalpin (gjalpi duhët të jetë patjeter në temperaturë ambienti) me sheqerin deri sa të përftohet një masë kremoze.

Më pas shtojmë vezët (vezët duhet të jenë patjetër në temperaturë ambienti) , një e nga një dhe i përziejmë në mënyrë të vazhdueshme.

Shtojmë  dhe ekstraktin e vaniljes dhe qumështin dhe i perziejmë sërish.

Bashkojmë të dy përzierjet deri sa të krijohet një masë homogjene.

Shtojmë çkollatën e copëzuar dhe e përziejmë në mënyrë që të shpërndahet në të gjithë masën e përgatitur.

Vendosim letrat e gatimit në një tepsi për mini-kekë.

Shpërndajmë brumin me ndihmën e një luge akulloreje në format për mini-kekë dhe i vendosim të piqen në furrë të parangrohur në 180 grad celsius per 20-22 min.

Shënim : Shpesh zëvendesoj 1/4 kupë miell me 1/4 kupë semolina apo niseshte. Të dyja i japin shije të ndryshme mini-kekëve, semolina i bën më të thërmueshem e të shkrifët, kurse niseshteja i bën shumëëë të lehta e të buta. Nëse keni dëshirë të eksperimentoni në kuzhine iu sugjeroj ti provoni të dyja.Gjithashtu nëse doni mini-kekë ku të ndihet pak më shume shija e gjalpit mund ta shtoni sasinë e gjalpit deri në 200 g.

Kjo recetë është receta ime baze e mini-kekëve. Herë zëvendesoj copëzat e çokollatës me fruta ose fruta të thata, apo një pjesë të miellit me tërshërë, ose miell frutash të thata,si miell bajamesh, arrash etj… Mundësitë janë pafund, mjafton pak fantazi…

 

Recetat e Mandarina në email-in tuaj

Vendosni adresën e email-it tuaj për tu regjistruar.

Lini një Përgjigje