Mini-kekë me banane dhe kakao

Mini-kekët me banane dhe kakao janë shumë të butë dhe të shkrifët dhe janë shumë të ngjashëm në shije me mini-kekët me çokollatë, por për fat të mirë, anojnë nga ana e gatimeve të shëndetshme, duke qenë se përmbajnë më pak yndyrna dhe sheqer.

E bukura me to është që janë mjaftueshëm të shëndetshëm për mëngjes dhe nga ana tjetër shumë të mira për tu ngrënë si ëmbëlsirë. Këta mini-kekë janë të preferuarat e motrës sime të vogël, e cila më nxiti ti provoja.

Ajo çka më pëlqen më shumë tek mini-kekët me banane dhe kakao është fakti që shijojnë shkëlqyer  edhe ditën tjetër pasi janë gatuar, kjo sepse shijet bashkohen e intensifikohen edhe më tepër.

Unë i përgatis mini-kekët e mi me banane dhe kakao në një proçesor ushqimor, duke qenë se është më e thjesht dha banania bëhet super kremoze, një trik që e kam mësuar nga Kikilicouss.

Nëse keni dëshire të ekperimentoni me receta të tjera për mini-kekë klikoni këtu, ku do të gjeni një varietet zgjedhjesh nga recetat e shëndetshme e deri te ato që na bëjnë ndonjëherë të ndihemi pak në faj që i konsumuam.

Përbërësit

  • 2 banane mesatare të pjekura mirë
  • 1 & 1/4 kupë miell i zakonshëm
  • 1/2 kupë kakao e hidhur (pa sheqer)
  • 3/4 kupë sheqer kaf (ose i bardhë)
  • 2 vezë mesatare
  • 4 lugë gjelle vaj ulliri
  • 3/4 kupë qumësht
  • 1 lugë çaji ekstrakt vanilje
  • 2 e 1/2 lugë çaji fryrës për ëmbëlsira (baking powder)

Shënim : 1 kupë – 1 filxhan/gotë me volum 240 ml

 Përgatitja

  1.  Ngrohni paraprakisht furrën në 180 gradë.
  2. Lyeni me vaj ulliri ose gjalp një formë për mini-kekë dhe lëreni mënjanë. Mund të përdorini edhe letra për mini-kekë, por duke qenë se përmbajnë banane, tentojnë të ngjisin te letra e pjekjes.
  3. Qëroni bananet dhe lërini mënjanë.
  4. Vendosini të gjithë përbërësitë në një proçesor ushqimor dhe proçesojini për rreth 2 minuta.
  5. Nëse nuk keni një proçesor ushqimor, atëherë filloni duke shtypur bananet me pirun deri sa të formoni një pure. Shtoni sheqerin, vajin e ullirit, vezët, qumështin dhe ekstraktin e vaniljes. Në një enë tjetër bashkoni miellin, fryrësin për ëmbëlsira dhe kakaon. Përzieni përbërësit e lëngshëm me ata të thatë deri sa të krijohet një përbërje homogjene.
  6. Ndajeni brumin në tepsinë për mini-kekë dhe piqini për rreth 20-22 min, ose deri sa një kunj druri e futur në mes të një mini-keku të dalë e pastër.

Recetat e Mandarina në email-in tuaj

Vendosni adresën e email-it tuaj për tu regjistruar.

Lini një Përgjigje