Më në fund erdhi sezoni i boronicave 🙂 Boronicat janë një nga frutat e mi të preferuar, shumë të shijshme, të pasura me vlera ushqyese, e sidomos me antioksidant. Kemi fatin që në Shqipëri të kemi boronica të egra, të cilat edhe pse janë pak të kushtueshme dhe të veshtira për tu gjetur, ia vlejnë cdo qindarka e shpenzuar e përpjekje për ti gjetur.
Po e filloj me një recete klasike, me mini-kek me boronica, që në fakt është shumë më interesante dhe e shijshme se receta klasike. Sekreti për ti bërë këta mini-kek kaq të mirë janë : tërshëra, vaji i ullirit dhe pak lëkurë limoni. Si shumica e recetave të mia, këta mini-kek me boronica janë shumë të thjeshta për tu përgatitur. Mund ti konsumoni për mëngjes, apo t’ia jepni fëmijëve me vete në shkollë, dhe të shmangni kështu konsumimin e produkteve të gatshme.
Koha e përgatitjes : 30 min
Përbërësit :
Për 12 mini-kekë
- 1 kup miell integral + 1 lugë gjelle miell për manaferrat
- 1 & ½ kup tërshërë që gatuhet në cast
- ¾ kupë sheqer kaf
- ¾ kupë kos
- ½ kupë vaj ulliri
- 2 vezë
- 1 kupë boronica të freskëta
- Pak kripë
- 1 lugë caji (tsp) ekstrakt vanilje (opsionale)
- 1 lugë caji (tsp) lëkurë e grirë limoni
- 2 lugë caji (tsp) fryrës për ëmbëlsira
Përgatitja :
- Ngrohim paraprakisht furrën në 180 gradë, dhe vendosim letra pjekjeje për mini-kek, në një tepsi për mini-kek.
- Në një tas mesatar miksojmë vajin e ullirit me sheqerin.
- Shtojmë vezët një nga një dhe miksojmë sërish.
- Shtojmë kosin dhe vaniljen dhe e miksojmë sërish.
- Në një enë tjetër, miksojmë miellin, tërshërën, lëkurën e limonit, kripën dhe fryrësin për ëmbëlsira.
- Bashkoni të dy përzierjet dhe miksojini mirë me njëra-tjetrën.
- Kaloni boronicat në miell, në mënyrë që të mos bien në fund të tepsisë gjatë pjekjes.
- Piqini në furrë të parangrohur për 20 – 22 min.
Ju bëftë mirë.
Lini një Përgjigje