Lakra Brukseli në furrë shoqëruar me bullgur dhe vezë sy

Share

A ju pëlqejnë lakrat e Brukselit?  Unë kam filluar ti përdor vetëm kohët e fundit, duke qenë se këto perime fantastike janë të reja për kuzhinën shqiptare, po për fat të mirë tani i kemi e mund ti shfrytëzojmë. Lakrat e Brukselit janë shumë të thjeshta për tu pastruar e për tu gatuar.

Mua më pëlqejnë shumë të gatuara në furrë marinuar me vaj, ulliri, limon, kripë e piper. Ndërkohë që piqen në furre, zbuten brenda, bëhen krokante nga jashtë e marrin një shije fantastike.

Lakrat e Brukselit të pjekura në furrë pothuajse gjithmonë i shoqëroj me bullgur të zier e vezë të tiganisura. Kjo pjatë përgatitet në pak minuta e kombinimi i shijeve dhe teksturave është fantastik.

Përbërësit

Për 4 persona

Për lakrat e Brukselit

  • 500 g lakra Brukseli
  • 2 lugë gjelle (tbs) lëng limoni
  • 2 lugë gjelle (tbs) vaj ulliri
  • Kripë
  • Piper
  • Pak djathë kaçkavall i grirë në rende (opsionale)
  • Pak fara susami (opsionale)

Për bullgurin

  • 1 & ¾ kupa bullgur kaf
  • 3 & ½ kupa ujë
  • 2 lugë gjelle (tbs) vaj ulliri
  • 2 lugë gjelle (tbs) gjalp
  • Kripë
  • Piper

Për vezët

  • 4 vezë
  • 1 – 2 lugë gjelle (tbs) vaj ulliri
  • Kripë
  • Piper

Shënim : 1 kupë – 1 filxhan/gotë me volum 240 ml

Përgatitja

Për lakrat e Brukselit 

  1. Ngrohni furrën në 220 gradë Celsius.
  2. Hiqni pjesën fundore të lakrave të Brukselit dhe pastrojini nga gjethet e zverdhura.
  3. Lajini me ujë të bollshëm e thajini mirë me letër kuzhine.
  4. Pritini në mes dhe vendosini në një tas qelqi. Shtoni limonin, vajin, kripën, piperin dhe farat e susamit nëse do ti përdorni. Përziejini mirë.
  5. Vendosini lakrat e Brukselit në një tepsi të madhe. Përpiquni që të formohet një shtresë e vetme në mënyrë që të piqen mirë dhe në mënyrë uniforme.
  6. Vendoseni tepsinë në furrë dhe lëreni për 20-30 min, ose deri sa të kenë marrë një ngjyrë të artë në kafe në sipërfaqe.
  7. Hiqini nga furra dhe shtoni djathin e grirë nëse do ta përdorni. Duke qenë se lakrat e Bruskelit janë akoma të nxehta djathi do shkrijë e do bashkohet shumë mirë me to.
  8. Provojini dhe shtoni kripë dhe piper nëse ka nevojë.

Për Bullgurin

  1. Ndërkohë që lakrat e Brukselit janë duke u gatuar filloni të gatuani bullgurin.
  2. Vendoseni bullgurin bashkë me ujin në një tenxhere mesatare në temperaturë të lartë.
  3. Në momentin që fillon të ziej uleni në temperaturë të ulet dhe lëreni për rreth 15 minuta. Pas kësaj kohe bullguri do ta ketë thithur pjesën më të madhe të ujit.
  4. Shtoni kripen, gjalpin, vajin e ullirit dhe lëreni të gatuhet edhe 5-10 minutat të tjera. Pas kësaj kohe bullguri duhet ta kete thithur të gjithë ujin.
  5. Largojeni nga zjarri dhe në fund shtoni pak piper nëse dëshironi.

Për vezët

  1. Shtoni vajin e ullirit në një tigan të madh në temperaturë mesatare të ulët.
  2. Kur vaji është nxehur shtoni me kujdes vezët dhe gatuajini për 2-3 minuta, deri sa e bardha të jetë forcuar.
  3. Shtoni kripë dhe piper.

Kompozimi i pjatës

  1. Vendosni në një anë të pjatës bullgurin dhe në tjetrën lakrat e Brukselit.
  2. Sipër tyre vendosni vezën.
  3. Shijojeni ndërkohë që është ende e ngrohtë.

Recetat e Mandarina në email-in tuaj

Vendosni adresën e email-it tuaj për tu regjistruar.

Lini një Përgjigje