Kupëza çokollate pikante, mbushur me karamel

Share

Kupeza cokollate me karamel

Ka ndonjë gjë më të mirë se çokollata e zezë? Hëm, ndoshta, kupëza çokollate të zezë, mbushur me salcë karameli. 🙂 Për ti bërë edhe më të veçanta, nëse ju pëlqejnë gatimet pikante sikurse mua, mund të shtoni pak pluhur speci të kuq pikant.

Këto kupëza çokollate janë shumë të thjeshta për tu përgatitur dhe më besoni që do ti lënë të gjithë pa fjalë. Për më tepër, mund ti ndani me miqtë dhe familjaret në këto ditë festash.

Kupeza cokollate me karamel

Koha e përgatitjes : 30 min

12 kupëza çokollate

Përbërësit

Për kupëzat e çokollatës

  • 250 g çokollatë e zezë(70%)
  • ¼ – ½ lugë çaji (tsp) pluhur speci të kuq pikant (Opsionale)

Salca e karamelit

  • 1/2 kupë sheqer
  • 1/2 kupë krem qumështi (jo i ëmbël)
  • 40 g gjalp
  • Pak kripë

Shënim : 1 kupë – 1 filxhan/gotë me volum 240 ml

Përgatitja

Për salcën e karamelit

Shkrijmë gjalpin me sheqerin dhe e lëmë të karamelizohet e të trashet në zjarr të avashtë, duke u kujdesur që të mos digjet.

Ngrohim kremin e qumështit në një enë tjetër.

Shtojmë kremin e qumështit dhe kripën tek përzierja e gjalpit me sheqerin dhe e përziejmë mirë.

E lëmë salcën të ftohet plotësisht përpara se ta përdorim për të mbushur kupëzat e çokollatës.

Nëse duam mund ta përgatisim salcën paraprakisht dhe ta ruajmë në kavanoz qelqi me mbyllje hermetike në frigorifer.

E nxjerrim disa orë përpara përgatitjes së kupëzave të çokollatës që të arrij temperaturën e ambientit në momentin që do ta përdorim.

Kupëzat e çokollatës

Shkrijmë çokollatën në zjarr shumë të avashtë ose duke e vendosur enën ku do ta shkrijmë në banjo-mari.

Shtojmë pluhurin e specit të kuq pikant dhe e përziejmë mirë.

Hedhim një pjesë të përzierjes së çokollatës në 12 kupëzat e silikonit.

I vendosim në frigorifer për rreth 10 min që çokollata të ngurtësohet.

I nxjerrim nga frigoriferi, hedhim 1 lugë caji salcë karameli te secila, dhe me pas e mbulojme me pjesën e mbetur të çokollatës.

I lëmë të qëndrojnë në frigorifer për minimumi 2 orë ose përgjatë gjithë natës.

I heqim nga kupat e silikonit dhe i shijojmë.

Kupeza cokollate me karamel

Kupeza cokollate me karamel

Recetat e Mandarina në email-in tuaj

Vendosni adresën e email-it tuaj për tu regjistruar.

Lini një Përgjigje