Krem çokollate dhe lajthie i bërë në shtëpi

Kremi i çokollatës është një nga ato tundimet e ëmbla që askush nuk i reziston dot. Versionet e gatshme, nuk janë në preferencat e mia, duke qenë se janë shumë të embla dhe shija e lajthive dhe çokollatës nuk është dominante.

Kështu vendosa të provoj të gatuaj vet krem çokollate. Sa keq që e tentova kaq vonë. 🙂 Rezultati është thjesht fantastik. Ju duhen vetëm lajthi, kakao pluhur e pa-ëmbelsuar, shurup panje, vaj ulliri dhe çokollatë e zezë.

Aroma dhe shija do iu pëlqej shumë dhe nga ana tjeter është kaq i pastër dhe i shendetshëm, pa konservant, ngjyrues apo yndyrna dhe sheqer të dëmshëm.

I vetmi problem që pata ishte konsistenca. Duke qenë se proçesori im i ushqimeve nuk është shumë profesional, përbërja nuk doli shumë kremoze. Pavarësisht kësaj nuk duhet të humbisni rastin të provoni këtë recetë, sidomos nëse femijet tuaj e pëlqejnë shumë kremin e çokollatës dhe konsumojnë versionet e gatshme që janë të dëmshme për shëndetin e tyre.

Përbërësit

  • 1 kupë lajthi
  • 2 lugë gjelle (tbs) kakao
  • 3 lugë gjelle (tbs) shurup panje
  • 3 lugë gjelle (tbs) vaj ulliri
  • 80 g çokollatë e zezë

Shënim : 1 kupë – 1 filxhan/gotë me volum 240 ml

Përgatitja
1. Ngrohni furrën në 180 gradë Celsius.
2. Shtrojini lajthitë në tepsi në një shtresë të vetme dhe piqini për rreth 10-15 minuta, deri sa të kenë marrë ngjyrë të artë dhe të lëshojnë aromën karakteristike të pjekjes.
Nëse lajthitë tuaja janë me lëkurë, atëherë largojini nga tepsia, e vendosini në një peshqir kuzhine. Fërkojini në mënyrë që të largohet cipa e më pas lërini të ftohen plotësisht. Nëse janë pa lëkurë, thjesht lërini të ftohen në tepsi.
3. Shkrini çokollatën në banjo-mari ose mikrovalë dhe lëreni të ftohet disi.
4. Në një proçesor ushqimor, bluani lajthitë me vajin e ullirit dhe shurupin e panjës deri sa të formohet një krem.
5. Shtoni kakaon pluhur dhe bluajeni sërish.
6. Në fund shtoni çokollatën e shkrirë dhe proçesojeni dhe pak sekonda deri sa të formohet një përbërje homogjene.
7. Kremi i çokollatës është gati.
8. Hidheni në një enë të pastër qelqi, lëreni të ftohet plotësisht dhe me pas ruajeni në frigorifer për rreth 1 javë.

Sikurse e specifikova më sipër, konsistenca e kremit që përgatita nuk ishte shumë kremoze, duke qenë se blenderi im është i thjeshtë (jo-profesional) dhe nuk i ktheu plotësisht në krem lajthitë e pjekura. Kam provuar të shtoj edhe qumësht, që e ka bërë më kremoze përbërjen, por në këtë rast, kremin nuk mund ta lini më shumë se 3 ditë në frigorifer.

Shijojeni kremin e çokollatës mbi bukë të sapo pjekur, si krem mbi biskota, krepa e të tjerë.

Recetat e Mandarina në email-in tuaj

Vendosni adresën e email-it tuaj për tu regjistruar.

Lini një Përgjigje