Kinoa me karkaleca dhe kunguj

Share

Kinoa me karkaleca dhe kungujRreth 2 muaj më parë bëra një pytësor të vogël në faqen e Mandarina në facebook, ku pyesja lexuesit e blogut se cfarë do të donit të ndaja më shumë tek Mandarina. Jam shumë e lumtur që zgjedhja juaj e parë ishtë “receta të shëndetshme”, sepse unë besoj shumë te fuqia që ka ushqimi për të ndikuar shëndetin tonë si dhe më pëlqen të eksperimentoj me gatime të shëndetshme.

Kinoa me karkaleca dhe kunguj është si sinonim i ushqimit të shëndetshëm. Receta është shumë e thjeshtë për tu ndjekur dhe rezultati është kjo pjatë fantastike në aromë, shije dhe ngjyra.

Në varësi të sezonit mund të zgjidhni perimet tuaja të preferuara. Spinaqi, bizelet, preshi apo asparagu mund të ishin zëvendësues shumë i mirë i kungullit në këtë pjatë.

Kinoa me karkaleca dhe kunguj

Për 4 persona

Përbërësit

  • 450 g karkaleca të mëdhenj, të pastruar
  • 2 kunguj mesatar
  • 2 kupa kinoa
  • 4 kupa ujë
  • 5 lugë gjelle vaj ulliri
  • Kripë
  • Piper
  • Majdanoz i freskët i grirë hollë

Shënim : 1 kupë – 1 filxhan/gotë me volum 240 ml

 Përgatitja

  1. Shplani kinoan në ujë të rrjedhshëm, e më pas vendoseni në një enë të thellë mesatare me 2 kupa ujë dhe pak kripë. Lëreni të gatuhet në zjarr mesatar deri sa ta ketë thithur gjithë ujin. Ky proces zgjat zakonisht 20-25 minuta.
  2. Ndërkohë që kinoa gatuhet pastroni dhe prisni kungullin në rripa të hollë.
  3. Gatuajeni kungulli e prerë hollë, në një tigan të madh, në zjarr të fortë me 1 lugë gjelle vaj ulliri për 5-10 minuta. Hiqeni nga zjarri, shtoni kripë dhe piper dhe lëreni mënjanë.
  4. Spërkatni karkalecat e pastruar me kripë dhe piper dhe gatuajini në zjarr të lartë, me një lugë vaj ulliri, për rreth 7-10 minuta ose deri sa të marrin një ngjyrë të kuqërremtë.
  5. Shtoni kinoan e gatuar dhe kungujt e gatuar te karkalecat dhe trazojini mirë.
  6. Shtoni kripë dhe piper nëse ka nevojë, majdanozin e grirë si dhe pjesën e mbetur të vajit të ullirit dhe trazojini sërish.
  7. Shërbejeni kinoan me karakaleca dhe kunguj të ngrohtë.

Kinoa me karkaleca dhe kunguj

Recetat e Mandarina në email-in tuaj

Vendosni adresën e email-it tuaj për tu regjistruar.

Lini një Përgjigje