Kek me tahini, vaj ulliri dhe hurma arabie

Më pëlqen shumë kur në internet ndeshem me blogje që më frymëzojnë. Një nga zbulimet e fundit është “Eat in my kitchen”.

Ky blog është shumë i këndshëm, me receta që duken shumë të shijshme e me histori të thjeshta e të dashura. Receta e pare që provova nga “Eat in my kitchen” është “Keku me tahini dhe hurma arabie”, që ma rrëmbeu zemrën që në kafshatën e parë.

Mua më pëlqen të përdor një kombinim mes miellit të grurit dhe thekrës për përgatitjen e këtij keku, por ju mund të përdorni vetëm miell gruri, nëse doni ti qëndroni besnik versionit original, ose thjesht nuk iu ndodhet miell thekre në shtëpi. Unë preferoj thekrën, pasi pasuron shijen e bën teksturen pak më të ngjeshur si dhe ka shumë vlera ushqyese.

Nga ana tjetër, duke qenë se kosi grek, ose salca e kosit, në mungesë të tij është një nga gjerat e mia të preferuara, në vend të panës së rrahur të versionit origjinal përdora kos grek të kombinuar me mjalt.

Për të pasuruar shijen e aromatizova me kardamom pluhur dhe shtova gjithashtu edhe fara susami të zi.

Ky kek jo tradicional është i shkëlqyer për mëngjes, pasi nuk është shumë i ëmbël dhe është plot me fibra nga thekra dhe yndyrna të mira nga vaji i ullirit dhe tahini.

 

Perberesit 

  • 1/3 kupë tahini
  • 1/2 kupë vaj ulliri
  • 2/3 kupë sheqer kaf
  • 2/3 kupë miell thekre (mund ta zëvendësoni me miell për çdo përdorim)
  • 1 kupë miell për çdo përdorim
  • 2/3 kupë qumësht
  • 4 vezë
  • 10-15 hurma arabie të thara
  • 2 lugë gjelle (tbs) fara susami të zi
  • 2 lugë çaji (tsp) fryrës për ëmbëlsira
  • 1 lugë çaji (tsp) kanellë pluhur
  • 1 lugë çaji (tsp) kardamom pluhur
  • Pak kripë

Shënim : 1 kupë – 1 filxhan/gotë me volum 240 ml

 Përgatitja

  1. Prangrohni furrën në 180 gradë Celsius.
  2. Përgatisni tepsinë duke lyer anët me gjalp dhe miell.
  3. Bashkoni tahinin, vajin e ullirit dhe sheqerin në një enë të madhe dhe trazojini mirë.
  4. Shtoni vezët duke e rrahur mirë përbërjen.
  5. Në një tas tjetër bashkoni miellin e thekrës, miellin e grurit, kanellën, kardamomin, pak kripë dhe farat e susamit.
  6. Bashkoni përzierjet e miellit me atë të vezëve, gjalpit dhe sheqerit deri sa të krijohet një masë homogjene.
  7. Prisni hurmat e arabisë në copa të vogla dhe shtojini te brumi.
  8. Hidheni brumin në tepsinë që kemi përgatitur më parë.
  9. Lëreni të piqet për rreth 50-60 minuta në furrën e parangrohur, në temperaturë 180 gradë celsius.
  10. Lëreni kekun të ftohet plotësisht përpara se ta prisni.
  11. Mund ta ruani në një enë me mbyllje hermetike për rreth 4 ditë.
  12. Mua më pëlqen ta shoqëroj këtë kek me një salcë përgatitur me kos grek dhe mjalt. Thjesht bashkoni pak kos grek me mjalt dhe shtojani sipër pjesës së kekut që do konsumoni (jo të gjithit).

Ju bëftë mirë.

Recetat e Mandarina në email-in tuaj

Vendosni adresën e email-it tuaj për tu regjistruar.

Lini një Përgjigje