Kek i shëndetshem me fruta

Share

Processed with VSCO with hb1 presetErdhi shtatori, për pak ditë fillon shkolla dhe edhe pse ka vite që jam shkëputur nga shkolla, akoma kam të njëjtën ndjesi pozitive të një fillimi të ri. Një nga gjërat që kisha më shume qef ishin gjithë gatimet e mira që mami përgatiste e që mund ti merrja me vete në shkollë.

Keku i shëndetshëm me fruta është fantastik për t’ia dhënë fëmijëve me vete në shkollë. Është plot me fruta, dhe ka një aromë fantastike e shije të lehtë e të freskët.

Recetën e këtij keku të shëndetshëm me fruta e kam marrë nga një shoqe, e cila e gatuante shpesh kur ishte studente. Receta origjinale përdor miell të zakonshem dhe gjalpë, ndërkohë që unë kam përdorur pjesërisht miell integral dhe tahini. Receta kërkon 1 kg fruta, që mund ti zgjidhni sipas dëshirës si psh. mollë, banane, dardhë, pjeshkë, kumbulla etj. Duket më shume si sallate me fruta se sa një kek.

Processed with VSCO with hb1 preset

Përbërësit

  • 1 kg fruta sipas zgjedhjes suaj (për këtë recetë kam përdorur dardhë, mollë dhe pjeshkë)
  • 1/2 kupë miell për çdo përdorim
  • 3/4 kupë miell integral
  • 1/2 kupë sheqer kaf
  • 2 vezë
  • 1 kupë qumësht
  • 50 g gjalpë në temperaturë ambienti
  • 3 lugë gjelle (tbs) tahini
  • Lëkura e një limoni mesatar
  • 1 lugë çaji (tsp) fryrës për ëmbëlsira (baking powder)
  • 1 lugë çaji (tsp) ekstrakt vanilje
  • Pakëz kripë

Përgatitja 

  1. Qëroni frutat dhe pritini në kubik të vegjël.
  2. Ndizni furrën në 180 gradë Celsius dhe përgatisni një tepsi katrore me brinjë 26×26 cm  me letër pjekjeje.
  3. Rrihni sëbashku tahinin, gjalpin dhe sheqerin deri sa të krijohet një masë kremoze.
  4. Shtoni vezet dhe vazhdoni të rrihni përbërjen.
  5. Shtoni qumështin dhe vaniljen dhe rriheni sërish.
  6. Në një enë tjetër miksoni miellin e zakonshëm, miellin integral, kripërn, lëkurën e limonit dhe fryrësin për ëmbëlsira.
  7. Bashkoni të dy përbërjet dhe miksojini deri sa të krijohet një masë homogjene.
  8. Shtoni frutat e prera dhe miksoni sërish.
  9. Piqeni përbërjen në furrën e parangrohur, në 180 gradë Celsius për 50-60 min.
  10. Lëreni të ftohet dhe më pas shijojeni.
  11. Mund ta ruani në nje enë hermetike në frigorifer për rreth 5 ditë.

Ju bëftë mirë 🙂

Processed with VSCO with hb1 preset

Recetat e Mandarina në email-in tuaj

Vendosni adresën e email-it tuaj për tu regjistruar.

2 mendime mbi “Kek i shëndetshem me fruta

Lini një Përgjigje