Kek me portokall dhe çokollatë

Share

Sikurse besoj na ndodh të gjithëve, shpesh më merr malli për gatimet e mamit dhe përpiqem ti replikoj ato në kuzhinën time. Pothuajse përherë përfundoj duke telefonuar mamin për detajet, gjë që pasohet me fjalinë e përhershme, “nuk, e di se une e hedh me sy”. Rezultatet e përkthimit të “masave” të mamit, ndodh që të përfundojnë në një lëmsh të vërtetë, por ka raste kur rezultati del vërtetë fantastik sikurse ndodhi me këtë kekë.

Keku me portokalle dhe çokollatë është i butë e i shkrifët, i shkëlqyer si një ushqim i shpejtë për pasdite, apo për tu konsumuar në mëngjes me një gotë qumësht. Shija e freskët e portokallit kombinohet shkëlqyer me atë të çokollatës, duke e bërë këtë kekë të parezistueshëm.

Koha e përgatitjes : 1 orë e 30 min

Përbërësit

Për 12-15 persona

  • 2 & 1/2 kupa miell
  • 2 lugë gjelle (tbs) niseshte
  • 1 & 1/3 kupa sheqer
  • 1 kupë kos
  • 200 g gjalp
  • 4 vezë
  • Lëkura e një portokalli mesatar
  • Pak kripë
  • 3 lugë çaji (tsp) fryrës për ëmbëlsira
  • 150 g çokollatë e zezë
  • 70 ml krem qumështi

Shënim : 1 kupë – 1 filxhan/gotë me volum 240 ml

 Përgatitja

Ngrohni furrën në 180 gradë celsius dhe lyeni me gjalp një formë keku të hapur në mes.

Në një tas mesatar bashkoni miellin, niseshten, kripën dhe fryrësin e ëmbëlsirave. Grini lëkuren e portokallit dhe shtojeni në përzierjen e miellit.

Me ndihmën e një rrahësi elektrik rrihni gjalpin me sheqerin deri sa masa të bëhet kremoze. Shtoni vezët një nga një dhe rriheni përzierjen mirë. Shtoni kosin në temperaturë ambienti dhe rriheni përzierjen sërish. Shtoni përzierjen e miellit në atë të gjalpit dhe miksojini mirë me njëra-tjetrën.

Hidheni në tepsinë e kekut dhe piqeni në 180 gradë Celsius për 45-50 minuta.

Hiqeni nga furra pasi është pjekur dhe lëreni të pushojë në tepsi për 10-15 min, më pas hiqeni nga tepsia dhe lëreni të ftohet plotësisht.

Për të përgatiur kremin e çokollatës, copëzojeni çokollatën dhe vendoseni në një enë të vogël. Ngrohni kremin e qumështit deri sa të arrij pikën e vlimit dhe hidheni sipër çokollatës së copëzuar. Lëreni të qëndrojë rreth 2-3 min dhe trazojeni mirë deri sa çokollata të shkrihet plotësisht. Lëreni kremin e çokollatës të ftohet për disa minuta dhe më pas mbuloni kekun me të. Keku shijon më mirë pas disa orësh, pasi shijet bashkohen me njëra-tjetrën.

Recetat e Mandarina në email-in tuaj

Vendosni adresën e email-it tuaj për tu regjistruar.

Lini një Përgjigje