Këtë kek me bajame dhe kajsi të thata e kam përgatitur veçanërisht për time më. Zakonisht janë prindërit që ankohen për fëmijët që nuk hanë çdo gjë, por në rastin tim është e kundërta. Mami ka shumë naze në të ngrënë, ha pak dhe pëlqen pak gjëra.
Kështu sajova këtë kek me bajame dhe kajsi të thata që asaj i pëlqejnë, aromatizuar me kardamom (këtu rrezikova pak) dhe mbuluar me çokollatë të bardhë. Nuk kishte lumturi më të madhe se të shihje që mamit i pëlqeu, kërkoi prapë, ndryshe nga copa minimaliste që ha zakonisht dhe kërkoi edhe recetën.
Ky kek kombinon kajsitë e thara me bajamet e pjekura, si dhe kardamomin që unë personalisht e adhuroj. Nëse nuk iu gjendet mundet thjesht ta aromatizoni me vanilje ose me kanellë, por nëse e keni mos e lini pa hedhur, pasi kombinohet shumë mirë me shijet e kajsive të thara dhe bajameve.
Mund të luani sa të dëshironi me frutat e thata që përdorni te ky kek, një kombinim shumë i mirë do ishte rrush i thatë me arra, ose lajthi me fiq të thatë. E gjitha mbetet në dorën tuaj.
Për ta bërë edhe më special këtë kek e mbulova me një shtresë çokollate të bardhë e i hodha ca bajame të prera në feta sipër. Nëse do ta përgatisni për ta konsumuar në përditshmëri, mund ta lini pa ia hedhur çokollatën e shkrirë sipër. Në këtë mënyrë do keni një kek më pak të ëmbël dhe me disa kalori më pak. Ndërsa, nëse po e përgatisni për një rast të vecantë, mos e lini pa shtuar çokollatën e shkrirë pasi e bën vërtëtë shumë të veçantë kekun.
Kremin e çokollatës së bardhë mund ta zëvendësoni shumë thjesht me krem çokollate qumështi ose krem çokollate të zezë. Në këtë rast, thjesht shtoni sasinë e kremi të qumështit nga 50 në 100 ml.
Nëse doni të provoni receta të tjera ëmbëlsirash, mjafton të kërkoni te seksioni “Të ëmbla” në blog.
Kek me bajame dhe kajsi te thata, mbuluar ne cokollate te bardhe
Ingredients
Përbërësit
Për një kek me diametër 26 cm
Keku
- 2 & 3/4 kupa miell
- 3 lugë gjelle (tbs) niseshte
- 3 lugë çaji (tsp) fryrës për ëmbëlsira
- 1 lugë çaji (tsp) kardamom pluhur
- Pak kripë
- 200 g gjalpë në temperaturë ambienti
- 1/4 kupë vaj luledielli ose vaj ulliri
- 5 vezë mesatare
- 1 & 2/3 kupë sheqer
- 1 lugë çaji ekstrakt vanilje
- 1 & 1/3 kupë qumësht
- ¾ kupë bajame të copëzuara
- 12-15 kajsi të thara
Kremi me çokollatë të bardhë
- 200 g çokollatë e bardhë
- ¼ kupë krem qumështi jo i ëmbël
Për të dekoruar
1/3 kupë bajame në feta (opsionale)
Instructions
Përgatitja
- Parangrohni furrën në 180 gradë Celsius.
- Prisni bajamet në copa dhe piqini në furrë për rreth 5-10 minuta, deri sa të marrin një pjeke të lehtë. Pjekja e nxjerr më shumë në pah shijen e bajameve e i bën pak më krokante, por nëse nuk keni kohë, mund ta kaloni këtë hap e ti përdorni bajamet pa i pjekur. Nëse vendosni ti piqni, pasi janë pjekur lerini mënjanë që të ftohen.
- Ndërkohë që bajamet piqen prisni kajsitë në copa të vogla dhe lërini mënjanë.
- Përgatisni me gjalp dhe miell një tepsi rrethore me diametër 26 cm.
- Në një tas të thellë bashkoni miellin, niseshtenë, pluhurin pjekës, pak kripë dhe pluhurin e kardamomit.
- Në një enë tjetër rrihni gjalpin me sheqerin deri sa të bëhet një masë kremoze.
- Shtoni vajin dhe miskojeni sërish.
- Hidhni vezët një nga një dhe rriheni përbërjen mirë deri sa vezët të inkorporohen.
- Shtoni qumështin dhe ekstraktin e vaniljes dhe miksojeni sërish.
- Bashkoni përbërësit e thatë me përbërësit e lagesht dhe përziejeni përbërjen mirë deri sa të formohet një masë pothuajse homogjene.
- Në fund shtoni bajamet dhe kajsitë e copëzuara.
- Hidheni në tepsi dhe piqeni në furrën e parangrohur për rreth 1 orë, ose deri sa po ta kontrolloni me një kunjë druri të dal e pastër. Kontrollojeni kekun rreth 40 minuta pasi e keni vendosur të piqet, dhe nëse është pjekur shumë sipër mbulojeni me një letër alumini në mënyrë që të mos digjet.
- Lëreni të ftohet në tepsi për 20-30 minuta dhe pastaj hiqeni nga tepsia dhe lëreni të ftohet plotësisht.
- Në momentin që keku është ftohur plotësisht përgatisni salcën e çokollatës.
- Prisni çokollatën e bardhë shumë imët, sa më imët që të mundeni.
- Vendosni kremin e qumështit të ngrohet. Në momenitn që qumështi është nxehur hiqeni nga zjarri dhe hidheni mbi çokollatën e copëzuar. Lëreni të qëndroj për 30 sekonda deri në një minutë dhe pastaj filloni ta trazoni në mënyrë që çokollata të shkrihet.
- Hidheni çokollatën e shkrirë mbi kek dhe shtojini bajamet në fleta sipër.
Notes
Shënim : 1 kupë – 1 filxhan/gotë me volum 240 ml
Lini një Përgjigje