Kek me limon dhe fara lulëkuqesh

Share

Lemon with poppy seeds cakeKeku me limon dhe fara lulëkuqesh është nga të preferuarit e mi. Është super i shkrifët, i shijshëm dhe shumë i thjeshtë për tu përgatitur. Lëngu dhe lëkura e limonit i japin një shije shumë të freskët, kurse farat e lulëkuqes e bëjnë pakëz krokant. Unë e quaj kek pranveror, prej ngjyrës së artë dhe shijes së freskët.

Ky kek ka një balancë shumë të mirë mes të athëtës dhe të ëmblës, por nëse nuk i preferoni shumë gjërat e athëta mund të pakësoni sasinë e limonit që i hidhni. Unë përdor vajin e ullirit në vend të gjalpit, pasi e bën më të lehtë kekun dhe kombinohet në mënyrë fantastike me shijen e limonit. I shtoj edhe pakëz vanilje për ta pasuruar shijen dhe aromën.

Zakonisht e konsumoj pa asnjë gjë tjetër shtese, por nëse dëshironi mund të shtoni një shtresë me krem djathi dhe mjaltë sipër, që e bën kekun edhe më të shijshëm, por edhe më kalorik.

Koha e përgatitjes – 1 orë

Përbërësit
Për 12 persona

  • 3 vezë të mëdha
  • Lëngu dhe lëkura e grirë e 2 limonëve të vegjël (mund të përdorni vetem 1 limon nëse e preferoni më pak të athët)
  • 1 lugë çaji (tsp) ekstrakt vaniljeje
  • 1/2 kupë vaj ulliri
  • ¾ kupë kos
  • 1 kupë sheqer
  • 2 e 1/2 kupa miell
  • 2 lugë çaji (tsp) fryrës për ëmbëlsira (baking powder)
  • 1/3 kupë fara lulëkuqeje

Kremi (opsional)

  • 250 g krem djathi (mascarpone)
  • 30 g gjalpë
  • 1 lugë gjelle (tbs) mjaltë
  • 1 lugë çaji (tsp) fara lulëkuqesh

Lemon with poppy seeds cake

Përgatitja

Ngrohni furrën në 180 gradë celsius dhe lyeni tepsinë me gjalpë në mënyrë që të mos ngjisë brumi.

Në një enë të madhe përziejmë miellin, fryrësin për ëmbëlsira, vaniljen, kripën, lëkurën e limonit dhe farat e lulëkuqes dhe e lëmë mënjanë.

Në një enë tjetër, përziejmë vezët me sheqerin, deri sa të krijohet një masë kremoze. Shtojmë lëngun e limonit dhe vazhdojmë përzierjen, deri sa të krijohet një masë pothuajse e njëtrajtshme. Me pas shtojmë vajin e ullirit dhe kosin dhe e rrahim masën serish.

Bashkojmë 2 përzierjet deri sa të krijohet një masë homogjene.

Pjekja bëhet në furrë të para-ngrohur në temperaturë 180 gradë, për rreth 40-45 min.

Unë e preferoj kekun pa kremin e djathit, por nëse dëshironi mund të përgatisni kremin sipas instruksioneve më poshtë dhe ta përhapni mbi kek pasi të jetë ftohur plotësisht.

Rrihni gjalpin, kremin e djathit dhe mjaltin bashkë deri sa të formohet një masë kremoze homogjene.

Vendoseni kremin në ngrirje për rreth 20-30 min. që të ftohet.

Shtoni kremin mbi kek dhe zbukurojeni me farat e lulëkuqes sipër.

Servireni me pak kos grek, ose në mungesë salcë kosi dhe luleshtrydhe të freskëta.

Thjesht, shpejt, shijshëm.

Lemon with poppy seeds cake

Lini një Përgjigje