Kek i kripur me kunguj, djathë dhe ullinj

Share

IMG_2102 (2)Ky kek i kripur është një gatim tërësisht eksperimental. Doja të përgatisja diçka të kripur për ta ndarë me koleget e zyrës gjatë një eventi bamirësie dhe miksova pak a shumë gjithçka kisha në frigorifer. Keku i kripur doli vërtetë shumë i mirë dhe të gjithë po më kërkonin recetën. U perpoqa të mbaja mend çfarë përbërësish kisha përdorur, e shkruajta recetën, e gatova edhe një herë, dhe Voila 🙂

Përbërësit

  • 1&1/2 kupë miell integral (mund të përdoret dhe miell i bardhë)
  • 1/2 kupë polenta
  • 1 lugë çaji kripe
  • 1 lugë çaji rigon
  • 2 lugë çaji fryrës për kek (baking powder)
  • 2 kunguj mesatar
  • 2 vezë
  • 1/2 kupë kos
  • 50 g gjalpë – në temperaturë ambienti
  • 1/4 kupë vaj ulliri
  • 1/2 kupë ullinj të qëruar
  • 50 g djathë kaçkavall
  • 50 g djathë i bardhë
  • 1/2 kupë fara luledielli + 1 lugë gjelle për t’ia hedhur sipër
  • 2 lugë gjelle tërshërë, për t’ia hedhur sipër

Përgatitja

  1. E lëmë gjalpin të zbutet në temperaturë ambienti
  2. E bashkojmë dhe e rrahim me vajin e ullirit deri sa të krijohet një masë pothuajse homogjene
  3. Presim djathin e bardhë dhe atë kaçkavall në kubik të vegjël
  4. Shtojme djathrat, ullinjtë dhe kosin tek perzierja e vajit me gjalpin dhe miksojmë sërish
  5. Rrahim vezet , grijmë kungujt në rende dhe i shtojmë gjithashtu te kjo përbërje
  6. Në një enë tjetër bashkojmë miellin, kripën, polenten, rigonin, farat dhe fryrësin (baking powder)
  7. Bashkojmë 2 përzierjet bashkë dhe i trazojmë mirë, deri sa të formohet brumi.
  8. E hedhim në enën që do të piqet të cilën e kemi lyer me gjalpë paraprakisht.  – Unë përdora një tepsi në formë buke standarte dhe pjesën që teproi e hodha në format për mini-kek (muffins).
  9. Shtojmë siper pak tërshërë dhe fara.
  10. E pjekim në furrë të parangrohur në 180 deri sa një majë thike e kaluar në mes të bukës del e pastër.
  11. Për format e mini- kekëve duhen rreth 15-18 min, kurse për atë në formë buke duhen rreth 35-40 min.
  12. Pasi e nxjerrim nga furra e lëmë të ftohet pak në tepsi (rreth 10 min), pastaj e heqim nga tepsia dhe e lëmë të ftohet edhe pak (5-10 min të tjera) para se ta presim.

Ju bëftë mirë 🙂

IMG_2104

Recetat e Mandarina në email-in tuaj

Vendosni adresën e email-it tuaj për tu regjistruar.

Lini një Përgjigje