Jufka shtëpie me porçini të thara

Share

JufkaNjë nga avantazhet e të qënit blogere ushqimi, është fakti që gjithë miqtë të llastojnë duke të sjell për të provuar produkte të veçanta. Dhurata e fundit ishin Jufka të bëra në shtëpi.

Jufkat janë pasta tradicionale shtëpie që kanë në përbërje miell gruri, vezë dhe qumësht. Ato lihen të thahen dhe mund të ruhen për disa muaj.

Mënyra tradicionale e përgatitjes së jufkave është në furrë me mish pule ose qengji, por duke qenë se së fundmi nuk e konsumoj më mishin duhet të gjeja një mënyrë kreative për ti gatuar. Kështu zgjodha një tjetër përbërs fantastik shqiptar, kërpudhat porçini të thara të Pukës. Rezultati ishte i shkëlqyer, mezi pres ti gatuaj sërish. Nëse jeni kurioz të provoni receta të tjera tradicionale mund të gjeni shumë prej tyre në blog.

Jufka

Përbërësit

  • 1 qepë e vogël
  • 100 g gjalp
  • Pak vaj ulliri për të gatuar qepën.
  • 2 kupa kërpudha porçini të thara (1 pako rreth 50 g)
  • Jufka për 4 persona (rreth 350-400 g)
  • 4 kupa ujë
  • Disa degë majdanoz
  • Kripë
  • Piper

Shënim : 1 kupë – 1 filxhan/gotë me volum 240 ml

Përgatitja

  1. Parangrohni furrën në 200 gradë celsius.
  2. Vendosni 4 kupa ujë të ziejnë.
  3. Ndërkohë prisni qepën imët dhe gatuajeni me pak vaj ulliri deri sa qepa të filloj të bëhet transparente.
  4. Në momentin që qepa është gatuar shtoni gjalpin dhe gatuajeni deri sa gjithë gjalpi të ketë shkrirë.
  5. Kur uji arrin pikën e vlimit, shtoni kërpudhat porçini të thara si dhe kripë dhe lërini për rreth 10 minuta.
  6. Në një tepsi qelqi hidhni jufkat dhe shtoni sipër qepën e gatuar dhe gjalpin e shkrirë si dhe ujin e nxehtë me porçinit.
  7. Vendosini në furrën e parangrohur për rreth 15 minuta në pjesën e poshtme të furrës në mënyrë që jufkat të gatuhen, por të mos digjen sipër.
  8. Gjatë kësaj kohe jufkat duhet ta kenë thithur gjithë ujin.
  9. Nxirrini nga furra dhe shtoni piper dhe majdanozin e copëzuar.

Jufka

Recetat e Mandarina në email-in tuaj

Vendosni adresën e email-it tuaj për tu regjistruar.

Lini një Përgjigje