Japrak – nje recetë tradicionale që zgjon shumë kujtime

Share

Një nga recetat e mia të preferuara tradicionale janë japrakët apo sic quhen ndryshe në disa zona, dollma. Japrakët gatuhen në vendet e Ballkanit, në Lindjen e Mesme si dhe në Azinë Qëndrore.

Japrakët, që janë praktikisht gjethe rrushi të mbushura, gatuhen zakonisht në pranverë, kur ka pafund zgjedhje me përbërësve që mund ti hedhim. Shumë nga recetat e japrakëve përmbajnë mish, por unë i preferoj pa të, pasi kështu ndihet më shumë shija e gjithë lakrave që kanë brenda e janë më të lehta.

Jam e sigurt që ky postim do ngjall shumë kujtime të bukura për të gjithë lexuesit e mi shqiptar e uroj shumë të tundoj që ta provojnë të tjerët që nuk e njohin si gatim.

Receta që po ndaj me ju, është receta tradicionale e japrakëve që gatuhet prej shumë vitesh në familjen time, me një ndryshim shumë të vogël. Unë kam shtuar pak kumin pluhur dhe pak hudhër të tharë pluhur për një shije edhe më interesante.

Japrakët duken të vështirë për tu përgatitur, por më besoni që nuk janë. Thjesht kërkojnë pak kohë, durim e shumë dashuri, por rezultati është shumë shpërblyes, kështu që ia vlen ti provoni.

Japrakët shkojnë shumë shoqëruar me kos ose tarator, dhe janë të shkëlqyer edhe ditën tjetër nëse ndodh që t’iu teprojnë.

Përbërësit

  • Rreth 30-40 gjethe rrushi
  • 500 g qepë të njoma
  • 600 g perime e lakra të egra jeshile si spinaq, lëpjetë, labot etj
  • 1 tufë majdanoz
  • 1 tufë kopër
  • 1-2 tufa nenexhik (pak a shumë në madhësinë e tufës së majdanozit)
  • 4 lugë gjelle vaj ulliri
  • Kripë
  • Piper
  • ½ lugë caji kumin pluhur
  • ½ lugë caji hudhër e tharë e bërë pluhur
  • 1 kupë oriz
  • 1 kupë ujë
  • Ujë për të gatuar gjethet e rrushit

Shënim : 1 kupë – 1 filxhan/gotë me volum 240 ml

Përgatitja

  1. Filloni duke pastruar gjithë perimet, lakrat, qepët dhe gjethet e rrushit.
  2. Prisni qepët e njoma dhe kavërdisini me vaj ulliri deri sa të zbuten e të ndryshojnë ngjyrë (rreth 10-15 minuta)
  3. Ndërkohe prisni gjithë perimet dhe lakrat e egra, përvec erëzave shtojini të gatuhen tek qepa.
  4. Gatuajini për pak minuta, deri sa të humbasin volumin dhe të kenë përthithur shumicën e lëngjeve qe krijohen gjatë gatimit, në momentin e parë që i hedhim në tenxhere.
  5. Ndërkohë që masa po gatuhet vendosni ujë të nxehet deri në vlim në një tënxhere të madhe. Shtoni atje gjethet e rrushit dhe lërini për rreth 1-2 minuta, deri sa të zbutën pak dhe të ndryshojnë ngjyrë nga jeshile e celët në jeshile e errët. Pas kësaj hiqini nga uji i nxehtë, vendosini në një pjatë dhe lërini të ftohen pak.
  6. Ndërkohe, shtoni orizin tek përzierja e qepëve dhe trazojeni mirë.
  7. Shtoni erëzat e prera imët, kripë, piper, kumin, hudhrën pluhur dhe vajin e ullirit dhe përziejeni masën sërish.
  8. Tani filloni të përgatisni tenxheren ku do të gatuhen japrakët duke shtuar disa gjethe në fund të saj.
  9. Me kujdes merrini gjethet një e nga një, bëni kujdes ti vendosni me pjesën e shkëlqyer gjithmonë poshtë, shtoni mbushje në mes, e palosini në formë kubike ose cilindrike dhe vendosini në tenxhere ngjitur me njëra tjetrën. Pasi të mbaroni me shtresën e parë të japrakëve filloni me të dytën.
  10. Përgatisni aq japrak sa t’iu dalë mbushja.
  11. Në fund shtoni 1 kupë ujë të nxehtë, vendosini një pjatë të rëndë sipër në mënyrë që japrakët të mos hapen gjatë zierjes.
  12. Lërini të gatuhen në zjarr mesatar në temperaturë mesatare deri sa ta kenë thithur gjithë ujin.
  13. Shijojini të ngrohta ose të ftohta shoqëruar me kos ose tarator.

Recetat e Mandarina në email-in tuaj

Vendosni adresën e email-it tuaj për tu regjistruar.

Lini një Përgjigje