Humus me kakao – një krem i shëndetshëm me shije fantastik, që mund ta përdorni mbi tost dhe jo vetëm

Share

Ju e dini tanimë që unë jam pak a shumë e varur nga humusi dhe çokollata. Duken si dy gjëra pa lidhje me njëra-tjetrën, por me sa duket nuk janë. Humusi me kakao ekziston, dhe ka një shije fantastike.

Ideja në fakt nuk ishte e imja, ajo e erdhi në formën e një sfide nga Ingrid Xh. Ingrid është vajza pas blogut Bonvivant, përmes të cilit na shëtit në kafenetë, baret, restorantet dhe bistrot e Tiranës dhe ndan me ne përshtypjet e saj . Ju sugjeroj ta ndiqni, e me siguri do bëhet guida juaj sikurse prej muajsh është bërë e imja.

Për tu rikthyer sërish te humusi me kakao, gjithcka mund të them është që është fantastik. Bëhet shumë thjeshtë, ka një konsistence fantastike, është shumë i shëndetshëm dhe ka një shije të mrekullueshme. Jam e sigurt që nëse do t’ia përgatisni fëmijëve do mund të zëvendësoni nutelën në dietën e tyre. E ku ka më mirë se të zëvendësojmë një produkt të pashëndetshëm me një alternative plot me fibra, pa sheqer të përpunuar e me pak yndyrë.

Përbërësit për të përgatitur humusin me kakao janë shumë të thjeshtë : qiqra, tahini, kakao dhe shurup panje. Receta është nga ato që lehtësisht mund të ndryshoj në varësi të shijeve tuaja, psh.  mund të zëvendësoni tahinin me ndonjë lloj tjetër gjalpi arror si gjalp kikiriku apo gjalp bajamesh, mund të zëvendësoni shurupin e panjës me mjalt apo të shtoni erëza të ndryshme si kanella apo kardamomi.

Lajmi i mirë është që qiqrat e ziera janë të buta, dhe nuk ka nevojë që të keni një blender apo proçesor ushqimor profesional, edhe një i thjeshtë mjafton.

Humusi me kakao është shumë i mirë për të lyer bukën, për të shoqëruar waffles apo për të shoqëruar frutat. Ndodh që unë ta konsumoj edhe me lugë, si ëmbëlsirë. Besoj që humusi me kakao do ishte shumë i mirë edhe për tu përdorur si krem për tortat apo mini-kekët por nuk e kam provuar, nëse ndonjë nga ju e provon më thoni si ju duket.

Për të gjithë ju që e doni shumë mjedisin dhe në veçanti kafshët dhe keni përqafuar një dietë vegane lajmi i mirë është që kjo recetë është vegane dhe mund ta përfshini në dietën tuaj.

Përbërësit

  • 1 & 1/2 kupë qiqra të ziera  (afërsisht ¾ kupë qiqra të pagatuara)
  • 1/4 kupë tahini
  • 1/4 kupë shurup panje
  • 1/4 -1/3 kupë kakao e paëmbëlsuar
  • 1 tsp ekstrakt vanilje
  • Një majë dore kripë
  • 1-2 lugë gjelle (tbs) ujë (opsionale)
  • Pak sodë

  Shënim : 1 kupë – një enë standarte me masë 240 ml

 Përgatitja

  1.  Vendosini qiqrat në një enë të madhe dhe mbulojini me ujë. Në to hidhni edhe pak sodë, që ndihmon që qiqrat të ziejnë më shpejt. Lërini qiqrat në ujë për gjatë gjithë natës, ose të paktën për 5-6 orë.
  2. Ditën tjetër derdhni ujin në të cilin i keni lënë qiqrat dhe vendosini në një tenxhere të madhe.
  3. Shtoni ujë dhe vendosini të ziejnë deri sa qiqrat të jenë zier. Për ta provuar nëse janë gati merrni një kokërr qiqër dhe shtypeni me gishta. Nëse shtypet lehtësisht janë gati. Mua mu desh rreth 30 minuta, që qiqrat të zienin.
  4. Derdhni ujin në të cilin u zien qiqrat.
  5. Lërini të ftohen për pak minuta.
  6. Nëse keni kohë, mund të hiqni cipën e qiqrave. Proçesi është i thjeshtë, por të merr pak kohë. Nëse nuk keni kohë në dispozicion mundet thjesht ti lini qiqrat me gjithë cipë. Shija e humusit nuk ndryshon, por tekstura është pak më kremoze nëse përdorni qiqra pa lëkurë.
  7. Në një blender ose proçesor ushqimor vendosni qiqrat, tahinin, kakaon, shurupin e panjës, kripën dhe vaniljen dhe bluajini mirë. Nëse e pëlqeni humusin super kremoz shtoni 1-2 lugë gjelle ujë.
  8. Në fund shtoni kripë dhe piper dhe bluajeni dhe për pak sekonda.
  9. Humusi është gati, e mund ta ruani në frigorifer deri në 5 ditë.

Recetat e Mandarina në email-in tuaj

Vendosni adresën e email-it tuaj për tu regjistruar.

Lini një Përgjigje