Hasude

 

IMG_9589_edited

Hasudia është një ëmbëlsirë tradicionale që gatuhet shumë në Shqipëri, sidomos në zonën e Shqipërisë së mesme. Ështe nga ato ëmbëlsira që bëhet me pak shpenzime dhe shpejt e shpejt, është e freskët dhe e lehtë, ndaj në verë shijon shumë mirë. Unë e kam gatuar për herë të parë, vetëm para pak kohësh, duke ndjekur keshillat e Dhurates, një mikes sime që është njohëse e mirë e gatimeve tradicionale. Më poshtë gjeni recetën dhe instruksionet për ta përgatitur në të dy versionet, të kuqërremtë dhe të artë. Për më tepër, kjo ëmbëlsirë gatuhet me niseshte, pra nuk përmban gluten, kështu që mund të konsumohet pa frikë nga personat intolerant nga gluteni

Koha e përgatitjes : 20 min

Përbërësit 

  • 2 & 1/2 kupa ujë
  • 1 kupë niseshte
  • 1 kupë pa një lugë gjelle sheqer
  • 100 g gjalp
  • 1 lugë gjelle (tbs) mjaltë
  • 1 kupë arra të copëzuara(opsionale)
  • 1/2 kup rrush të thatë (opsionale)
  • 1 lugë caji (tsp) kanelle (opsionale)

Përgatitja 

Kjo ëmbëlsirë mund të përgatitet në 2 mënyra. Mënyra e parë fillon me karamelizimin e gjalpit me sheqerin dhe rezultati është një hasude e kuqërremtë me një shije të lehtë karameli. Mënyra e dytë, është më e thjeshtë për tu përgatitur, dhe rezultati është një hasude në ngjyrë të artë, e cila nuk e ka shijen e lehtë të karamelit, por, prap mbetet shumë e mirë.

Mënyra 1

Në një enë të vogël trazoni niseshtenë me një kupë ujë dhe një lugë mjaltë deri sa të treten mirë. Në një tigan të thellë vendosim në zjarr mesatar gjalpin dhe sheqerin dhe i trazojmë vazhdimisht deri sa të karamelizohen. Kur përbërja të ketë arritur një ngjyrë të kuqërremtë, shtojmë 1 & 1/2 kupë ujë, ulim temperaturën e sobës dhe e trazojmë vazhdimisht. Përbërja e sheqerit dhe gjalpit mund të ngurtësohet në kontakt me ujin, por mos u trembni, vazhdoni ta përzieni në zjarr të avashtë dhe do të shkrihet sërish duke krijuar një masë homogjene. Pasi përbërja të jetë unifikuar shtojmë përzierjen e niseshtes me ujin dhe mjaltin, dhe e trazojmë vazhdimisht deri sa përzierja të trashet.

Në këtë moment shtojmë kanellën, rrushin e thatë dhe arrat nëse kemi vendosur ti përdorim.

E hedhim përbërjen në një tepsi me diametër rreth 22 cm dhe e lëmë të ftohet plotësisht. Në momentin që është ftohur e vendosim në frigorifer të freskohet për minimumi 1 orë. E presim në copa të vogla dhe spërkasim sipër me kanellë sipas dëshirës.

Mënyra 2

 Në një tigan të thellë vendosim 1 & ½ kupë ujë,me gjalpin dhe sheqerin dhe e lëmë të nxehet deri sa të arrij pikën e zierjes.

Ndërkohë në një enë tjetër tresim niseshtenë dhe mjaltin me një kup ujë. Kur uji arrin pikën e zierjes, shtojmë përzierjen e ujit, mjaltit dhe niseshtesë dhe e trazojmë vazhdimisht deri sa e gjithë përbërja të trashet.

E heqim nga zjarri dhe shtojmë arrat, rrushin e thatë dhe kanellën dhe e përziejmë mirë.

E hedhim të gjithë masën në një tepsi me diametër rreth 22 cm dhe e lëmë të ftohet plotësisht.

Në momentin që është ftohur e vendosim në frigorifer të freskohet për minimum 1 orë. E presim në copa të vogla dhe spërkasim sipër me kanellë sipas dëshirës.

Shpejt, thjesht, shijshëm 🙂

IMG_9117_edited

Lini një Përgjigje