Prej disa vitesh, për Halloween, tezja ime bën një hallvë me kungull që është fantastike. Nuk kisha provuar ta bëja asnjëherë vet, deri para pak ditësh, kur bleva një kungull shumë të madh dhe më duhej të gjeja mënyra kreative për ta gatuar.
Receta është shumë e thjeshtë për tu ndjekur dhe kërkon pak minuta për tu përgatitur. Kjo hallvë bëhet me miell semolina (ndryshe mund ti referohen me emrin Simigdhali, që vjen nga greqishtja), që i jep nje teksture krokante, ndërkohë që kungulli i jep një aromë dhe shije fantastike.
Përbërësit
Hallva
- 1 & 1/2 kupë miell semolina
- 3/4 kupë vaj luledielli
- 3/4 kupë sheqer kaf
- 1/2 kupë kungull i grirë
- 1/4 kupë farash luledielli
- 1/4 kupë arrë kokosi
- 1/4 kupë farash susami
Shurupi i hallvës
- 3 kupa ujë
- 3/4 kupë mjalt
Shënim : 1 kupë – 1 filxhan/gotë me volum 240 ml
Përgatitja
- Ne fillim përgatisim shurupin.
- Bashkojmë mjaltin me ujin dhe i lëmë në zjarr deri sa të kenë arritur pikën e zierjes,
- Në momentin që kanë arritur pikën e zierjes i lëmë edhe 5 minuta e pastaj i heqim nga zjarri.
- Më pas në një tigan të madh bashkojmë kungullin e grirë në rende, semolinen, vajin dhe sheqerin deri sa të marrin ngjyrë të artë.
- Shtojmë farat. susamin dhe arrën e kokosit të grire dhe i trazojmë mirë.
- Në fund shtojmë shurupin pak e nga pak, me 4-5 hapa te perzierja e semolines, duke e trazuar vazhdimisht.
- Hallva është gati kur e ka thithur të gjithë shurupin.
- Si gjithmonë, për ta ndarë, unë preferoj të përdor një lugë akulloreje, sepse është shumë e thjeshtë dhe forma del shumë e bukur.
- Hidhini pak kanellë sipër e mund ta konsumoni të ngrohte, ose të ftohtë, sipas dëshirës.
Ju bëftë mirë 🙂
Lini një Përgjigje