Gjalp kikiriku i bërë në shtëpi

Kikirikat janë nga “frutat e thata” që preferoj më shumë. Janë fantasitke për tu konsumuar duke parë ndonjë film, apo për tu marrë me vete në ecjet e gjata në natyrë.

Kohët e fundit zbulova që kikirikat në fakt nuk hyjnë në familjen e frutave të thata, por në atë të bishtajoreve. E habitshme apo jo? Pavarësisht kësaj mbeten plot me fibra, yndyrna të shëndetshme dhe kanë shije të ngjashme me frutat e tjera të thata.

Si një person tipik që pëlqen kikirikat, gjithashtu më pëlqen shumë edhe gjalpi i kikirikut, por versionet e gatshme që shiten në treg, nuk japin maksimumin e shijes se kikirikëve e as të vlerave të tyre ushqyese. Për më tepër u shtohen sheqerna dhe yndyrna të pashëndetshme e të panevojshme.

Kështu që pse të mos provojmë të përgatisim gjalpin e kikirikut vet në shtëpi. Në fillim më dukej shumë e vështirë dhe hezitoja ta provoja, por, pasi bëra disa orë kërkime në internet dhe u konsultova me shoqen time Jona që është eksperte në këtë drejtim, vendosa ta provoja.

Gjithë proçesi ishte shumë i thjeshtë. Në fillim qërohen kikirkat, pastaj piqen pak e lihen të ftohen plotësisht. Më pas kikirkat, pak vaj, mjaltë dhe kripë kalohen në blender ose proçesues ushqimor dhe bluhen deri sa përberja të bëhet kremoze.

Rezultati është fantastik , pasi ta provoni nuk do blini më gjalp kikiriku të gatshëm.

Përbërësit

Për 1 kupë gjalp kikiriku

  • 500 g kikirika të paqëruara
  • 1 lugë gjelle (tbs) mjaltë
  • 1 lugë gjelle (tbs) vaj ulliri
  • 1/4 luge caji (tsp) kripe

Shënim : 1 kupë – 1 filxhan/gotë me volum 240 ml

Përgatitja

Qëroni kikirikat dhe piqini në furrë të parangrohur në 180* për 10-15 min. Lërini të ftohen plotësisht.

Vendosini në blender, shtoni mjaltin, vajin dhe kripën dhe proçesojini deri sa të krijohet një masë kremoze.

Ruajeni në një enë qelqi hermetike në frigorifer për rreth 1 javë.

Thjesht, shpejt, shëndetshem, shijshëm.

Recetat e Mandarina në email-in tuaj

Vendosni adresën e email-it tuaj për tu regjistruar.

Lini një Përgjigje