Këtë ëmbëlsirë e kam provuar për herë të parë nga një shoqe ruse, e cila e kishte gjetur në një portal rus gatimi.
Sapo e provova kërkova recetën e fillova të eksperimentoj me të. Versioni im i ëmbëlsirës me mollë ka më pak sheqer dhe gjalp se ai i shoqes sime, e megjithatë prapë është shumë i shijshëm.
Kjo ëmbëlsirë me mollë është e freskët, e lehtë, dhe shumëëë e thjeshtë. Është nga ato gjëra që i lë të gjithë pa fjalë dhe kërkon shumë pak përpjekje për tu përgatitur. Ëmbëlsira me mollë bëhet më e mirë pasi ka qëndruar një ditë në frigorifer, pasi shijet shkrihen me njëra-tjetrën.
Koha e përgatitjes : 1 orë & 30 min
Përbërësit & përgatitja
Për 8-10 persona
Shtresa e brumit
- 1 & ½ kupa miell për çdo përdorim
- 100 g gjalp i ftohtë i prerë në kubik të vegjël
- 1/2 kupë krem qumështi të athët (në mungesë të tij mund të përdorni krem qumështi normal, të paëmbëlsuar)
- ½ lugë çaji kripë
- 3 lugë çaji sheqer
- ½ lugë çaji (tsp) fryrës për ëmbëlsira
Shënim : 1 kupë – 1 filxhan/gotë me volum 240 ml
- Bashkoni të gjithë përbërësit dhe punojeni masën me dorë deri sa të formohet brumi.
- Formoni një disk, mbulojeni dhe vendoseni në frigorifer ndërkohë që përgatisni mbushjen.
Mbushja
- 1 kupë krem qumështi të athët (në mungesë të tij mund të përdorni krem qumështi normal, të paëmbëlsuar)
- 1 vezë mesatare
- 1 kupë sheqer
- 1 lugë çaji (tsp) ekstrakt vaniljeje
- 2 lugë gjelle (tbs) miell normal
- 1 lugë gjelle (tbs) lëng i freskët limoni
- 4 mollë mesatare
- Gjalp dhe miell për të përgatitur tepsinë për pjekje
- Bashkoni kremin e athët, sheqerin, vaniljen, miellin dhe vezën dhe rrihini bashkë.
- Qëroni mollët dhe pritini në feta të holla, të ngjashme me patatinat. Shtojini sipër lëngun e limonit.
- Përgatitni tepsinë duke e lyer me gjalp dhe spërkatur pak miell në mënyrë që të mos ngjis brumi.
- Hapni brumin me një pec kuzhine dhe formoni një petë të hollë, në madhësinë e duhur për të mbuluar një tepsi 20 cm.
- Shtrojeni petën në tepsi dhe shtroni mollët.
- Hidhni sipër kremin dhe vendoseni të piqet në 180 gradë Celsius për 50-60 min.
- Lëreni të ftohet plotësisht dhe më pas futeni në frigorifer për të pakten 2 orë, ose idealisht për gjatë gjithë natës.
Bake my day
Ç’na fute nepsin me këtë. ????
Mandarina
❤