Brownies

Brownie 4

Brownie është nga ato ëmbëlsira që pëlqehet nga të gjithë. Mundohem ta bëj sa më rrallë, pasi është shumë kalorike dhe e kam aq qef sa e teproj pakëz, nis me një cop dhe ndonjëherë bëhen 2 ose 3. Kjo recetë është frymëzuar nga Manuela e “Passion for baking” nga e cila kam mësuar shumë gjëra kur ende nuk dija mirë të gatuaja.

Receta është super e thjeshtë, kështu që mos hezitoni ta provoni. Zakonisht e shoqëroj me pak rikota dhe fruta pakëz te athta si luleshtrydhe apo mjedra për të balancuar shijen e fortë të çokollatës.

Koha e përgatitjes – 45 min

Përbërësit

  • 1  kupë miell
  • 1/2 kupë niseshte misri
  • 300 g çokollatë e zezë (min 70%)
  • 4 lugë gjelle (tbs) kakao
  • 3/4 kupë gjalp
  • 1 deri në 1 & 1/4 kup sheqer kaf në varësi të sa të ëmbël e doni
  • 4 vezë
  • 1 lugë çaji (tsp) ekstrakt vaniljeje
  • 1 kupë me arra të copëzuara e të pjekura pak

Përgatitja

  1. Vendosim të shkrijë gjalpin dhe çokollatën në banjo-mari, deri sa çokollata të jetë shkrirë plotësisht.
  2. Hedhim sheqerin dhe e trazojmë për disa minuta në mënyrë që të shkrihet disi e të lidhet me çokollatën.
  3. E heqim tasin nga nxehtësia. E lëmë të ftohet pak (rreth 2 min) dhe shtojmë vezët dhe vaniljen. I përziejmë mirë në mënyrë që të inkorporohen në masën e çokollatës.
  4. Në një enë tjetër trazojmë miellin, kakaon, dhe kripën. Këtë mase e shtojmë te masa e çokollatës dhe e përziejmë mirë deri sa të krijohet një masë homogjene. Në fund shtojmë arrat dhe e përziejmë masën sërish.
  5. E hedhim brumin në një tepsi me përmasa 25 me 25 cm dhe e vendosim të piqet në furrë të parangrohur në temperaturën 180 gradë për 25 min.
  6. Pasi është pjekur e nxjerrim nga furra dhe e lëmë të ftohet plotësisht dhe më pas e presim.

Shpejt, thjesht, shijshëm 🙂

Brownie 3

Lini një Përgjigje