“Biskota” me susam – një recetë shumë e thjeshtë, e shijshme dhe e shëndetshme

Jam gjithmonë në kërkim të recetave të thjeshta e të shëndetshme dhe kësaj here e kisha mu përpara syve. Në kafenenë e vogel të godinës ku punoj gatuajnë disa “biskota” me susam që janë fantastike, kur nga ora 4 më merr uria e pasdites.

Unë i quaj “biskota” pasi nuk gjej një fjalë më të përshtatshme në shqip për gatimin që në anglisht quhet “crisp”, kështu që nëse keni ndonjë sugjerim se si mund ti quajmë në shqip do isha shume e lumtur ta ndanit me mua.

Si përherë doja të krijoja versionin tim të kësaj recete dhe pasi bëra një kërkim online dhe disa ditë rresht eksperiemente, arrita në recetën më poshtë për “biskotat” me susam.

Receta është shumë e thjeshtë për tu ndjekur dhe kërkon pak përbërës, të bardhë veze, pak fare miell, pak fare gjalp e sheqer dhe shumë susam. Unë shpesh shtoj edhe fara të tjera të tipit fara luledielli ose kungulli, por në sasi shumë të vogla.

Këto biskota me susam janë super krokante e të shijshme e ju japin shumë energji, ndaj janë të shkëlqyera për tu konsumuar gjatë ecjeve në natyrë, apo si një vakt i shpejt kur na kanë rënë energjitë pasditeve në punë. Janë të shkëlqyera edhe për fëmijet, ndaj mos hezitoni ti provoni.

Unë dua ti mbaj në versionin e shëndetshëm ndaj përdor shumë pak sheqer, por nëse doni një produkt pak më të ëmbël mjafton të shtoni pak sheqer i cili do të karamelizohet gjatë pjekjes e do ti jap një shije shumë të mirë.

Nëse jeni në kërkim të recetave të tjera të thjeshta, të shijshme e të shëndetshme klikoni këtu.

Përbërësit

  • 1 e bardhë veze
  • 3 lugë gjelle sheqer kaf (mund të shoni deri në 5 lugë nëse e preferoni më të ëmbël)
  • 1 & 1/3 kupë fara susami
  • 2 lugë gjelle (tbs) miell orizi (mund të zëvendësohet edhe me miell gruri)
  • 1 lugë gjelle (tbs) miell gruri
  • 2 lugë gjelle (tbs) gjalp i shkrirë
  • Pakëz kripë

Shënim : 1 kupë – 1 filxhan/gotë me volum 240 ml

Përgatitja

  1. Parangrohni furrën në 180 gradë celsius
  2. Shkrini gjalpin dhe lëreni mënjanë të ftohet pak.
  3. Vendosni të bardhën e vezës në një tas të madh qelqi dhe rriheni me një pirun ose rrahëse veze manual deri sa të formohen flluska të vogla.
  4. Shtoni sheqerin dhe vazhdoni ta rrihni lehtësisht deri sa të tretet.
  5. Shtoni gjalpin dhe miellin dhe përziejeni sërish përbërjen.
  6. Në fund shtoni susamin dhe trazojeni mirë.
  7. Përbërja duhet të jetë disi e thatë dhe ngjitëse.
  8. Hidheni në një tepsi ku keni shtruar letër kuzhine dhe sheshojeni mirë, deri sa të bëhet një shtresë e hollë uniforme. Që masa të bëhet krokante duhet që shtresa të jetë shumë e hollë.
  9. Piqeni në furrën e parangrohur për 10-12 minuta ose deri sa të marri një ngjyrë të artë në kafe.
  10. Zhvendoseni nga furra dhe ndërkohë që është ende e nxehtë priteni në katrorë të madhësisë që dëshironi. Këtë proçes duhet ta bëni menjëherë pasi e nxirrni nga furra përbërjen pasi është ende e butë dhe mund të pritet. Kur të ftohet do të forcohet dhe nuk do të prisni dot forma të rregullta.
  11. Lëreni të ftohet plotësisht dhe më pas zhvendoseni nga letra e pjekjes.
  12. Biskotat me susam qëndrojnë shumë mire për rreth një javë në një enë me mbyllje hermetike në temperaturë ambienti.

Recetat e Mandarina në email-in tuaj

Vendosni adresën e email-it tuaj për tu regjistruar.

Lini një Përgjigje