Biskota me çokollatë

Më duhet ta pranoj që jam e varur nga çokollata. Më pëlqen ta konsumoj në çdo moment të ditës, e në të gjitha format duke filluar me farat e kakaos (cocoa nibs), e duke vazhduar me çokollatën e ngrohtë, akulloren me çokollatë, kekë me çokollatë, tortë me çokollatë, biskota me çokollatë, lista mund të vazhdoj pa fund.

Këto biskota me çokollatë janë krokante nga jashtë, të buta nga brenda dhe kanë një shije shumë intensive çokollate. Me pak fjale, ëndrra e çdo personi të dashuruar me çokollatën sikurse une.

Recetën e kam përshtatur nga Passion for Baking.

Koha : 30 min

Përbërësit

  • 250 g çokollatë
  • 40 g gjalp
  • 2 vezë
  • 1/3 kupë sheqer pluhur
  • 1/3 kupë miell
  • Pak kripë
  • 1/2 lugë çaji (tsp) fryrës për ëmbëlsira
  • 1 lugë çaji (tsp) vanilje

Shënim : 1 kupë – 1 filxhan/gotë me volum 240 ml

Përgatitja

  1. Në një enë përziejmë miellin, kripën, fryrësin për ëmbëlsira, vaniljen dhe 50 g çokollatë të copëzuar.
  2. Shkrijmë gjalpin dhe çokollatën (pjesën tjetër prej 200g) në banjomari.
  3. E heqim nga zjarri dhe shtojmë sheqerin.
  4. E trazojmë mirë për pak minuta në mënyrë që sheqeri të shkrihet.
  5. E lëmë të ftohet për pak minuta.
  6. Shtojmë vezët 1 e nga 1 dhe i përziejmë mirë.
  7. Bashkojmë 2 përzierjet deri sa të krijohet një masë homogjene.
  8. E vendosim brumin e formuar në frigorifer për 20-30 min.
  9. E nxjerrim nga frigoriferi dhe formojmë biskotat duke përdorur një lugë akulloreje.
  10. I pjekim për 10-12 min në 180*.
  11. I lëmë të ftohen për 5-10 minuta në tepsinë ku i kemi pjekur, e më pas i zhvendosim në raftin ku do ti lëmë të ftohen plotësisht.

Ju bëftë mirë.

Recetat e Mandarina në email-in tuaj

Vendosni adresën e email-it tuaj për tu regjistruar.

Lini një Përgjigje